Maqedonia nën ethet e votimit për ndryshimet kushtuese për emrin

Foto ilustruese

Maqedonia ka nisur të enjten në Bruksel bisedimet për procesin e anëtarësimit të saj në Aleancën Veri-atlantike dhe ato pritet të zgjasin të paktën tre muaj para se të nënshkruhet protokolli i pranimit, i cili më pas duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s.

Por, bisedimet nisin në kohën kur Kuvendi ndodhet para sfidës shumë të rëndësishme, miratimit të ndryshimeve kushtetuese, në përputhje me marrëveshjen me Greqinë për emrin.

SHIKONI EDHE: NATO nis formalisht bisedimet me Maqedoninë të enjten

Drejtuesit e NATO-s, qartë kanë bërë me dije se marrëveshja për emrin duhet të zbatohet në tërësi, në mënyrë që Maqedonia të bëhet anëtare e 30-të e Aleancës.

Seanca e Kuvendit për votimin e ndryshimeve kushtetuese do të mbahet të premten, por mbetet ende e paqartë nëse shumica parlamentare ka siguruar dy të tretat, apo 80 vota, aq sa nevojiten për të miratuar propozimin e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese.

Grupi Parlamentar i LSDM-së, u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që t’i bashkohen grupit të deputetëve që janë për integrimin e vendit në institucionet euro-atlantike.

“Si deputetë, kemi mundësinë që t’i miratojmë ndryshimet, me të cilat forcohet identiteti ynë dhe të sigurojmë të ardhmen, të cilën e presim tani 27 vjet. Ne, të gjithë deputetët e LSDM-së, u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që t’i bashkëngjiten këtij procesi. Alternativë tjetër nuk ka“,ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, duke besuar në sigurimin e votave të mjaftueshme për kalimin e fazës së parë të ndryshimeve kushtetuese.

“Maqedonia i takon perëndimit, pavarësisht se Mickovski ka problem me të. Kjo udhëheqësi e VMRO-së me Mickovskin ndoshta është edhe më e keqe se ajo me Gruevskin. Ai e ka turpëruar shtetin duke u konfrontuar me partnerët tanë strategjikë. Andaj, deputetët e kanë shansin që të vendosen mbi qëndrimin anti-perëndimor të liderit të tyre partiak”, ka thënë Tuntev.

Edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë bërë thirrje për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk i sheh si zgjidhje për dalje nga kriza.

“Të gjithë 120 deputetët kanë premtuar integrimin e vendit në NATO dhe BE dhe se do të zgjidhin kontestin me Greqinë, jemi të bindur se të gjithë do të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Sa i përket zgjedhjeve ne vlerësojmë se ato nuk janë zgjidhje. Zgjidhje për Maqedoninë është anëtarësimi në NATO dhe BE”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

SHIKONI EDHE: Opozita kundër ndryshimeve kushtetuese, kërkon kushte për zgjedhje

Por, opozita e udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja mbetet në qëndrimin për të kundërshtuar ndryshimet. Lideri i saj, Hristijan Mickovski, gjithashtu i ka kundërshtuar edhe mesazhet e fundit që kanë ardhur nga SHBA-ja, ku është kritikuar VMRO-ja për qëndrimin e saj kundër marrëveshjes për emrin.

“Marrëveshja është e dëmshme për interesat e kombit tim dhe atdheut tim dhe si e tillë është e papranueshme për VMRO-DPMNE-në dhe për shumicën dërmuese të qytetarëve të Maqedonisë, që u dëshmua edhe në referendumin e fundit”, kështu lideri i VMRO-së, Mickovski, i është përgjigjur letrës së ndihmëssekretarit amerikan për Evropë dhe Euroazi, Wess Mitchel.

Miskoski shpreson që “Maqedonia së shpejti të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, por krenare dhe dinjitoze, e jo e turpëruar dhe e deformuar”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sërish kanë inkurajuar deputetët e Kuvendit të Maqedonisë që t'i kapërcejnë politikat e partive dhe të përfitojnë nga mundësia historike për një të ardhme më të mirë për vendin.

”Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht implementimin e plotë të marrëveshjes, e cila do të lejojë që Maqedonia të zërë vendin e saj në NATO dhe BE si Republika e Maqedonisë Veriore, duke kontribuar në stabilitetin rajonal, sigurinë dhe prosperitetin”, transmetojnë mediat një deklaratë të një zyrtari të Departamentit të Shtetit, për agjencinë e lajmeve greke, Ana.

Maqedonia dhe Greqia marrëveshjen e kanë arritur në qershor, dhe me të synohet t'i jepet t'i fund kontestit 27-vjeçar, që kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë. Greqia ka bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE duke thënë se me këtë emër, fqinji i saj verior mund të ketë pretendime territoriale ndaj rajonit të tij verior që mban emrin Maqedoni.