Maqedonia e Veriut është radhitur në vendin e 106-të në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, të publikuar nga organizata ndërkombëtare Transparency International.
Ky është rezultati më i keq në dy vjetët e fundit, pasi krahasuar me vitin 2016 apo para ndërrimit të pushtetit, kemi rënie për 13 vende duke u pozicionuar në pozitën e 106-të nga gjithsej 180 shtete të ranguara.
Drejtues të organizatës Transparency International-Maqedoni, thonë se të dhënat janë shqetësuese për shkak të pritjeve të mëdha nga Qeveria aktuale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Edhe këtë vit ndodhemi shumë poshtë në listën e 180 shteteve. Kemi vetëm 35 pikë pozitive nga 100 të mundshmet. Në vitin 2017 ishim thuajse në nivel të njëjtë, në vendin e 107 me 35 pikë, sikur edhe këtë vit. Por, jemi shumë më ulët se në vitin 2016. Nga vendet e rajonit jem më keq se Bosnja, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi. Ndodhemi në pozitë të njëjtë me Shqipërinë”, ka deklaruar Sllagjana Taseva nga Transparency International-Maqedoni
Ajo thotë se ky vlerësim për luftën e dobët kundër korrupsionit, është rezultat i më shumë faktorëve dhe paaftësisë së institucioneve që të përballen me fenomenet negative.
“E gjithë kjo është rezultat i shtetit të kapur, nivelit të lartë të korrupsionit politik, mungesës së transparencës në punën e sektorit publik. Kthim pas ka në të gjithë indikatorët, që dëshmon se politika ka ndikime të fuqishme mbi biznesin dhe sektorët e tjerë”, ka deklaruar Taseva.
SHIKONI EDHE: Komisioni Anti-korrupsion hap lëndë ndaj zyrtarëve në pushtetKomisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, si organ që duhet t'i luftojë dukuritë negative, vitin e kaluar kishte 638 lëndë me dyshime për korrupsion, por vetëm për pesë raste organet e ndjekjes kanë hapur lëndë gjyqësore, por që kanë përfunduar vetëm me procedurë kundërvajtëse apo dënime me para.
Lidhur me dyshimet për konflikt të interesave, Komisioni anti-korrupsion ka hapur 404 lëndë, shumë prej të cilave, gjithashtu, ende janë në procedurë të marrjes së vendimit.
Nga Komisioni anti-korrupsion besojnë se në qoftë se mbyllet rasti “Reketi”, Maqedonia e Veriut do të përmirësonte ndjeshëm indeksin e perceptimit të korrupsionit.
“Kemi arritur të hartojmë strategjinë për parandalimin e korrupsionit dhe të konfliktit të interesave, me të cilën theksojmë përkushtimin tonë për luftë të pakompromis kundër korrupsionit, që ligjet të vlejnë njësoj për të gjithë, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë".
"Fatkeqësisht, vitin e kaluar na ndodhi diçka shumë e keqe. Rasti 'Reketi', ndikoi shumë negativisht në përkeqësimin e perceptimit të korrupsionit në vendin tonë. Është mirë që punohet në këtë rast dhe do të jetë edhe shumë më mirë nëse ky rast merr epilog, në mënyrë që njerëzit t'i ndryshojnë perceptimet e tyre, apo të rrisin besimin në institucione”, ka deklaruar kryetarja e Komisionit anti-korrupsion, Biljana Ivanovska.