Diplomatët e akredituar në Shkup e kanë çmuar lartë klimën pozitive që po krijon qeveria maqedonase sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit të Maqedonisë në kuadër të bisedimeve që po zhvillon me qeverinë greke.
Zëvendësambasadorja e Bullgarisë në Maqedoni, Daniela Boudinova në kuadër të konferencës ndërkombëtare me temën, “Ballkani Perëndimor dhe Vlerat Euroatlantike – Studim për rastin e Maqedonisë”, organizuar nga Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare është shprehur optimiste se deri në qershor Maqedonia dhe Greqia do të arrijnë deri te një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.
Një marrëveshje eventuale, sipas saj, do të zhbllokonte edhe procesin e integrimeve euroatlantike për Maqedoninë si shtet.
“Ajo që ne mund të bëjmë gjatë kohës sa Bullgari do të udhëheqë me BE-në, është që të vazhdojmë t’i inkurajojmë të dyja palët, Maqedoninë dhe Greqinë, që të vazhdojnë bisedimet dhe të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja vendet dhe të zhbllokohet procesi integrimeve për vendin tuaj”, tha zëvendësambasadorja e Bullgarisë në Maqedoni.
Nga ana tjetër, ambasadorja e Austrisë në Shkup, Renate Kobler, tha se çështja e sigurisë paraqet sfidë kyçe për Bashkimin Evropian, ndërkohë që ka theksuar se shteti që përfaqëson nuk do të ndërhyjë në bisedimet që po zhvillojnë Shkupi dhe Athina zyrtare lidhur me çështjen e emrit.
Megjithatë, ajo tha se Austria do të angazhohet t’i bind partnerët dhe anëtarët e Këshillit të BE-së, që vendi sa më shpejtë të fillojë bisedimet me BE-në.
“Në lidhje me çështjen e zgjerimit, konkretisht për Maqedoninë, Austria do të bazohet në atë se çfarë Maqedonia ka realizuar gjatë presidencës bullgare. Mbetemi në vija të njëjta, ka progres të madh në procesin e negociatave me Greqinë për çështjen e emrit, por ne nuk mund të përzihemi në bisedime. Duhet të zgjidhet çështja në mënyrë që të jetë e pranueshme për të dyja palët”, tha ambasadorja Kobler.
Ndërkaq, Ylber Sela nga Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare në Shkup thotë se sfidë më vete është përgatitja e opinioni grek për arritjen e një ujdie mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Sela thotë se pavarësisht që në opinion ka informacione të pakta, beson se është arritur përparim i dukshëm në shumë tema që janë pjesë e bisedimeve, ndërkohë siç thotë ai, do të nevojitet ndërhyrja e qendrave vendimmarrëse për të përafruar dallimet.
“Ka kohë për të arritur deri te një zgjidhje, sepse akoma shumë gjëra nuk janë thënë për opinionin. Do të thotë bisedimet zhvillohen sa të hapura aq edhe të mbyllura. Maqedonia në procesin e bisedimeve është në fund të gjysmë finales. Tani po afrohet finalja dhe ka shumë hapësirë për shpresa se zgjidhja e kontestit të emrit do të ndodh”.
“Në Greqi nuk është edhe aq pozitiv opinioni sa i përket zgjidhjes së kontestit për çështjen e emrit. Megjithatë shpresoj se faktori ndërkombëtarë, sidomos SHBA dhe Gjermania, po edhe fqinjët përreth të ndikojnë në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe Maqedonia të anëtarësohet në NATO sepse kjo i hap një perspektivë jo vetëm Maqedonisë, por rajonit në përgjithësi “, thotë Ylber Sela.
Ndryshe, sipas medieve greke në fundjavë është paraparë një takim kokë më kokë në Sofje të Bullgarisë mes kryeministrave të dy vendeve, Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Tcipras, i cili do të zhvillohet në margjinat e Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor ku sipas ekspertëve pritet të filtrohen më shumë detaje rreth ofertave përfundimtare nga ana e të dyja vendeve që do të çonin kah zgjidhja e kontestit.