Partitë e vogla kërcënojnë me dalje nga Qeveria dhe zgjedhje të reja

Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese.

Qeveria e kryeministrit Dimitar Kovaçevski mund të humbë shumicën në Kuvend, rrjedhimisht Maqedonia e Veriut të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Disa parti të vogla që janë pjesë e koalicionit qeveritar, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), kanë paralajmëruar mundësinë që deputetët e tyre të largohen nga shumica parlamentare nëse nuk përmbushen disa kërkesa të tyre lidhur me modelin zgjedhor dhe disa zgjidhje ligjore që i kanë në programet e tyre partiake.

Shumicën parlamentare e përbëjnë 65 deputetë, sipas Kovaçevskit, apo vetëm katër më shumë se numri i nevojshëm prej 61 deputetëve nga gjithsej 120 sa ka Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Pjesë e koalicionit me LSDM-së, veç tjerash, janë Ripërtëritje Demokratike, Partia "Dinjiteti", Lidhja Demokratike, si dhe disa parti tjera që kanë nga një deputet, por duke marrë parasysh faktin se shumica nuk është stabile për shkak të numrit të votave, mund të ndodhë që largimi i tyre të shkaktoj krizë qeveritare.

Partitë e vogla ka kohë që kërkojnë ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore, me lista të hapura dhe pa prag zgjedhor. Pas Lidhjes Demokratike, edhe Ripërtëritja Demokratike, ka thënë se mund të largohet nga Qeveria nëse së shpejti kjo kërkesë nuk miratohet në Kuvend.

SHIKONI EDHE: Reforma zgjedhore, partitë politike me qëndrime të kundërta për njësitë

“Ne dum një njësi zgjedhore, si dhe të mos ketë prag zgjedhor, por edhe sikur të kishte ai të mos jetë më i lartë se 0.7 për qind pasi aq sa janë të mjaftueshme për sigurimin e një mandati të deputetit. Pragu prej 5 për qind, siç ka propozuar Bashkimi Demokratik për Integrim [BDI], është i papranueshëm".

"Modeli që ne kërkojmë është më i miri i mundshmi që zbatohet edhe në shumë shtete tjera. Nëse kërkesa jonë refuzohet ne mund të dalim nga Qeveria. Rikonstruksionin e fundit të Qeverisë e kemi mbështetur me kërkesa të qarta, sepse për ne këto çështje janë thelbësore”, ka deklaruar kryetarja e partisë Ripërtëritja Demokratike, Maja Moraçanin.

“Dinjiteti” është një tjetër parti e vogël që drejtohet nga Stojançe Angelov, që mund të largohet nga Qeveria nëse nuk mbështetet kërkesa e saj për miratimin e një ligji për avancimin e të drejtave të ish-pjesëtarëve të forcave të sigurisë që kanë marrë pjesë në konfliktin e vitit 2001.

Për zvarritjen e miratimit të këtij ligji, Angelov e ka fajësuar BDI-në që drejtohet nga Ali Ahmeti, e cila është trashëgimtare e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që kishte luftuar me forcat e sigurisë maqedonase për më shumë të drejta për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Është më se e qartë se problemi i moszbatimit të ligjit dhe vendimit të Qeverisë janë pengesa që po i bën partneri i koalicionit të LSDM-së, Bashkimi Demokratik për Integrim. Në bisedat që kam pasur me kryeministrin Kovaçevski, ai ka treguar një vullnet të mirë për ta tejkaluar këtë çështje. Vullnet të mirë për ta tejkaluar këtë problem kanë edhe ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, por për mendimin tim, kjo pengohet nga BDI-ja”, ka deklaruar Angelov.

SHIKONI EDHE: Shkupi nis debatin për ndryshimet kushtetuese, opozita me kushtëzime

Pakënaqësi kanë shprehur edhe partitë tjera, por për çështje tjera, duke e kushtëzuar mbështetjen e tyre për shumicën parlamentare.

Në zgjedhjet e vitit 2020, LSDM-ja në koalicion me partitë tjera ka fituar 46 vende të deputetëve ndërsa pas largimit të Lëvizjes Besa ka mbetur 42, numër që mund të tkurret edhe më tej nëse partitë tjera marrin vendim për t'u larguar.

Por, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski ka deklaruar se ndihet “komod” në drejtimin e Qeverisë pasi beson se i ka votat e mjaftueshme për drejtimin e ekzekutivit.

“Koalicioni është stabil, ai numëron 65 deputetë. Është normale që në kuadër të koalicionit të ketë parti me qëndrime të caktuara apo kërkesa të cilat ideologjikisht apo në një formë tjetër dallohen nga ato të partive tjera, por për shtyllat kryesore të qeverisjes të gjitha kemi pikëpamje të njëjta. Ne do të marrim parasysh kërkesat dhe shqetësimet e tyre, ashtu siç i kemi trajtuar edhe në të kaluarën”, ka deklaruar ai.

Kërkesa e partive të vogla është mirëpritur nga opozita maqedonase që kryesohet nga VMRO DPMNE, e cila në vazhdimësi kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke e akuzuar Qeverinë për paaftësi në drejtimin me vendin.

Zhvillimet e këtilla vijnë në kohën kur Maqedonia e Veriut ndodhet para ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si kusht i domosdoshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evopian.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Maqedoninë e Veriut duhet të mbahen në vitin 2024, së bashku me zgjedhjet presidenciale.