Maqedonia e V. regjistron rastin e parë me variantin indian të koronavirusit

Një murale në Shkup

Në Maqedoninë e Veriut u regjistrua rasti i parë me variantin indian të koronavirusut.

Sipas autoriteteve shëndetësore, rasti u zbulua te një shtetas që ishte kthyer nga Iraku, ku paraprakisht kishte qëndruar në një spital për dhjetë ditë.

Autoritetet bënë thirrje për qetësi, meqë, sipas tyre, “bëhet fjalë për një rast të izoluar, që nuk ka rrezik për shëndetin publik, pasi personi i infektuar është i izoluar maksimalisht”.

“Menjëherë pasi ka arritur në Maqedoninë e Veriut, pacienti me veturë sanitare është transferuar në spital privat, ku edhe po trajtohet. Gjendja e pacientit është e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezik për përhapjen e këtij lloji të virusit”, tha përmes një deklarate Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, varianti indian i koronavirusit është më i transmetushëm se variantet e tjera.

SHIKONI EDHE: Ministri britanik: Varianti indian i COVID-19, 40 për qind më i transmetueshëm

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik i Maqedonisë së Veriut njoftoi se në 24 orët e fundit ka regjistruar vetëm një rast me koronavirus, që është shifra më e ulët që nga paraqitja e rasteve të para në Maqedoninë e Veriut, pranverën e vitit të kaluar.

Rasti i vetëm pozitiv rezultoi pas testimit të 1,576 mostrave.

Sipas raportit, të hënën u konfirmuan tri viktima nga koronavirusi dhe 204 të shëruar.

Numri i rasteve aktive në Maqedoninë e Veriut aktualisht është 464.

Ministri i Shëndetësisë në këtë vend, Venko Filipçe, tha se masat kufizuese do të vazhdojnë deri më 15 qershor.

Ato kanë të bëjnë me mbajtjen e maskës në ambientet e mbyllura, ndalimin e lëvizjes në grupe në ambientet e jashtme, si dhe ndalimin e lëvizjes nga mesnata deri në orën 05:00 të mëngjesit.

“Gjendja epidemiologjike në vend është e qëndrueshme. Numri i rasteve aktive po bie, ndërsa në mënyrë drastike ka rënë edhe numri i të shtruarve në spitale. Nuk ka paralajmërim se periudhën e ardhshme do ketë rritje të rasteve të reja”, tha Filipçe.