Për herë të parë, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie demokratike, përkatësisht gjatë vitit 2019, numri i të vdekurve është 601 herë më i lartë se numri i lindjeve.
Kështu thuhet në të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Maqedonia e Veriut, tash e disa vjet ka nisur që të ecë drejt kufirit të “recensionit” demokratik, por gjatë vitit 2019, sipas të dhënave të Entit, ky shtet ka shënuar trend negativ sa i përket numrit të lindjeve në raport me numrin e të vdekurve.
Sociologët theksojnë se ndryshimi i konceptit mbi ndërtimin e familjes ka ndikuar dukshëm në uljen e natalitetit.
Sociologu Ali Pajaziti thotë se ulja e natalitetit në Maqedoninë e Veriut, flet për sindromën e “familjes nukleare”, përkatësisht familjes bërthamë, që ka qenë tipike për vendet e zhvilluara të Evropës, por shton se tani individualizmi ka ndikuar që jeta familjare të shtyhet, sa i përket moshës, ndërkohë që ato çifte që krijojnë familje, gjithnjë e më vështirë vendosin për fëmijën e dytë.
“Dikur, numri më i madh i fëmijëve ka nënkuptuar fuqinë dhe potencialin ekonomik, imazhin më të lartë kundrejt rrethit, paprekshmërinë, forcën, etj.Përderisa sot familja është më e ngushtë, me numër më të vogël të anëtarëve që në radhë të parë nënkupton qasje te benifitet më të mira sociale, e deri te cilësia më e mirë e jetës si dhe më pak probleme për sigurimin e kushteve maksimale për fëmijët dhe vetveten”, thotë Pajaziti.
Gjatë 2019-ës, rënie më e madhe e natalitetit është vërejtur në komunat me shumicë maqedonase, por ulje e konsiderueshme e natalitetit është shënuar edhe në komunat e banuara me shumicë shqiptare.
Ish-drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Donço Gerasimovski thotë se Maqedonia e Veriut në bazë të standardeve demografike, po hyn në fazën e quajtur “plakje demografike”.
Gerasimovski si faktor kyç për uljen e natalitetit – që po kontribuon në plakjen e popullsisë – e sheh migrimin e qytetarëve.
SHIKONI EDHE: Shtyhet regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut“Migrimi ka hise të madhe sa i përket uljes së natalitetit, pasi nga vendi po largohen të rinjtë, që janë në moshën e produktivitetit. Pra, kemi foshnje që lindin jashtë vendit dhe nuk regjistrohen në Maqedoninë e Veriut, bazuar në standardet e EUROSTAT-it. Në 53 komuna të vendit po shënohet trend negativ sa i përket natalitetit. Kemi 40 komuna, në të cilat është ulur numri i popullsisë. Kjo ka ndikim të fuqishëm në shpërndarjes territoriale të popullsisë. Në gjashtë rajone më të mëdha të vendit – prej tetë gjithsej – është shënuar numër i lartë i vdekjeve krahasuar me numrin e foshnjave të lindura, pra kemi popullsi e cila po plaket”, thotë Gerasimovski, duke shtuar se një trend i tillë do të ketë pasoja në të ardhmen e vendit.
Në bazë të të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, numri më i madh i lindjeve është shënuar në rajonin e Shkupit, përkatësisht në këtë rajon kanë lindur 38.1 për qind e numrit të përgjithshëm të foshnjave.
Përderisa numri më i ulët i foshnjave të lindura vërehet në pjesën lindore të vendit, me 6.3 për qind.
Në bazë të dhënave të Entit –që janë publikuar me rastin e 24-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut – gjatë vitit 1994, numri i personave mbi moshën 65-vjeçare ka qenë 160 mijë, përderisa në vitin 2015, numri i personave mbi moshën 65-vjeçare është rritur për 90 mijë, përkatësisht numri ka arritur në 260 mijë.
Ndërkaq, numri i banorëve deri në moshën 14 vjeçe ka shënuar rënie të vazhdueshme në dy dekadat e fundit, ku më 1994 numri i banorëve të kësaj moshe ka qenë 500 mijë, ndërkaq më 2015 është ulur në 350 mijë.
Megjithatë, ish-drejtori i Entit të Statistikave, Doço Gerasimovski, thotë se ulja e natalitetit nuk ndikon në uljen e numrit të përgjithshëm të popullsisë, ngase vetëm gjatë dy vjetëve të fundit 2 mijë qytetarë të huaj kanë marrë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut.