Thellimi i krizës në Ukrainë mund të ketë ndikim në tregjet ndërkombëtare, gjë që mund të ketë ndikim edhe në Maqedoninë e Veriut, vlerësojnë zyrtarët dhe njohësit në Shkup.
Ministri i Financave në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Besimi, tha se përshkallëzimi i krizës në Ukrainë, pasi Rusia njohu dy rajonet lindore Luhanskun dhe Donjeskun si entitete të pavarura, mund të ketë ndikim veçmas në fushën e energjisë.
“Varet nga ndikimi mbi tregjet në Evropë në fushën e energjisë, i cili tashmë është ndierë. Mund të jetë më keq nëse ndodh diçka, nëse situata përshkallëzohet dhe çmimet rriten. Përshkallëzimi tjetër mund të dhe ndodhë varësisht nga implikimet, mund të ketë mungesë energjie, por tani për tani mbetet një skenar spekulativ”, tha Besimi për agjencinë shtetërore të lajmeve, MIA.
SHIKONI EDHE: Tensionet Rusi-Ukrainë rrisin çmimet e naftësMaqedonia e Veriut nuk ka ndonjë ekonomi të madhe e cila varet drejtpërsëdrejti nga furnizimet të ndryshme nga Rusia, megjithatë kriza atje mund të ndikojnë në veçanti në sigurimin e lëndës së parë, para se gjithash me gazin natyror, thotë Arben Halili, njohës i zhvillimet ekonomike dhe ish-drejtues i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Video nga arkivi:
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas tij, deklaratat e ministrit Besimi se kriza në Ukrainë mund të ndikojë në krizën energjetike, mund të shërbejë si pretekst për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Unë mendoj se çështja e rritjes së çmimeve të energjisë do të jetë vetëm se një arsye shtesë ose një shkak plus për të arsyetuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve, që tashmë kanë ndodhur dhe vazhdojnë të rriten. Kjo nuk është për shkak e krizës në Ukrainë-Rusi, por është çështje e politikave të ndryshme apo një ndikim global që nuk varet as nga ky konflikt e as nga suksesi apo mossuksesi i politikave shtetërore. Megjithatë, nuk mund ta përjashtojnë se mund të ketë ndikim në sektorë të caktuar, si në furnizimin me lëndë të para nga Rusia si me gaz ose çështje e eksportit të prodhimeve bujqësore në vjeshtë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike.
Ndërkohë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vlerëson se zhvillimet gjeopolitike, përfshirë tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës, mund të ndikojnë negativisht në dinamikën e rimëkëmbjes së ekonomisë globale, si dhe në tregjet globale të produkteve primare.
"Ekspozimi ynë i drejtpërdrejtë ndaj ekonomive ruse dhe ukrainase është i vogël dhe nuk priten efekte të mëdha. Megjithatë, nëse rritja globale ngadalësohet, dhe veçanërisht nëse ngadalësohet rritja ekonomike e BE-së, si partneri ynë më i rëndësishëm tregtar, mund të ketë një ndikim negativ në dinamikën e rritjes së ekonomisë vendase”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.
SHIKONI EDHE: Qëndrimi i Ballkanit Perëndimor pas vendimit të PutinitPor, sipas Nano Ruzhin, ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO, situata e përshkallëzuar në Ukrainë, mund të ketë pasoja edhe në dimensione të tjera.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se kriza mund të zgjerohet edhe në shtetet e tjera, përfshirë edhe në Maqedoninë e Veriut, por jo në përmasa të një konflikti.
Ruzhin paralajmëron se mund të ketë edhe sulme të mundshme kibernetike.
“Vija politike ndarëse mes Lindjes dhe Perëndimit messiguri se kalon përmes Ballkanit dhe pa ngritur ndonjë panik të madh, besoj se edhe ne si shtet anëtar i NATO-s, do t’i nënshtrohemi skenarëve të mundshme të papëlqyeshme, si sulme kibernetike, paralajmërime apo kërcënime të ndryshme, e kështu me radhë. Pra, mund të ketë presione të ndryshme ndaj gjitha shteteve që janë aleate të Perëndimit. Kjo që po ndodh në Ukrainë, me njohjen e dy rajoneve të saja nga Rusia, paraqet një sfidë të madhe për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në këtë vend, por edhe më gjerë. Zhvillimet atje janë shumë të paparashikueshme, por besoj se nuk do të vjen deri te një konflikt i përmasave të gjëra”, thotë Ruzhin.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dënuar vendimin e Rusisë që të njohë rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut si entitete të pavarura.
Shtetet perëndimore kanë paralajmëruar se do të vendosin sanksione të ashpra ndaj Rusisë dhe personave të përfshirë në minimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.