Në Maqedoninë e Veriut nga dita e mërkurë është hequr ora policore, përkatësisht u hoqën ndalesat për lëvizjen e qytetarëve, që ishin vendosur si masa për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit.
Më herët, qytetarët nuk kishin të drejtë të qarkullonin nga ora 19:00 deri në 05:00, ndërsa gjatë fundjavës së kaluar ishte aplikuar edhe izolimi në mbarë vendin, por me propozimin e ri, kjo ndalesë është hequr tërësisht.
Gjithashtu, në bazë të vendimeve të fundit të ndërmarra nga qeveria, nga 28 maji, do të lejohet hapja e bizneseve të sektorit të gastronomisë, në përputhje me protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë. Sektorit të gastronomisë ju kërkohet që të sigurohen të ruajnë distancën fizike, të përgjysmojë kapacitetet e objekte dhe po ashtu është kërkuar që lokalet të mundohen t’u shërbejnë qytetarëve në hapësirat e hapura që kanë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, lehtësimin e masave e ka arsyetuar, duke thënë se situata me koronavirus është nën kontroll, pasi sipas tij, numri i rasteve aktive tani është stabil dhe se sistemi shëndetësor me sukses mund të përballojë sfidat që sjell koronavirusi.
Megjithatë, Spasovski ka theksuar se rreziku nga koronavirusi nuk është shmangur, duke porositur qytetarët që të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në këtë kohë kur janë lehtësuar masat.
“Virusi është këtu dhe do të jetë i pranishëm derisa të fitohet imuniteti ose të gjendet një vaksinë. Është e rëndësishme që qytetarët të zbatojnë masat, për mbrojtjen personale dhe largësinë. Le të jetojmë me koronavirusin, por në mënyrë që do të mbrojmë shëndetin e të gjithëve përreth nesh", është shprehur Spasovksi.
SHIKONI EDHE: Rrëfimi i mjekut nga Kumanova që mposhti koronavirusinNdërkaq infektologu Fadil Cana, duke komentuar lehtësimin e masave, tha për Radion Evropa e Lirë, se autoritetet assesi nuk duhet të mosrespektojnë rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë sa i përket koronavirusit, sepse sipas tij, nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë rrezikohet popullata.
“Ne duhet të mësohemi që gjatë periudhës së ardhshme të bashkëjetojmë me koronavirusin, pasi ai bëhet pjesë e jona, pjesë e përditshmërisë sonë. Por, lëvizja e lirë e qytetarëve duhet të bëhet me respektimin maksimal të rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore. Problemi nuk qëndron në izolimin e përgjithshëm të shtetit. Problemi qëndron në atë se sa respektohen rekomandimet e autoriteteve dhe sa shteti përkujdeset që ato të respektohen”, thotë infektologu Cana, duke paralajmëruar se situata mund të rëndohet, nëse qytetarët nuk u përmbahen rekomandimeve të ekspertëve shëndetësorë.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut lehtëson një sërë masashNdërkaq, zëvendëskryeministri Bujar Osmani thotë se qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masave, duke u bazuar në fakte shkencore.
“Jemi munduar që të tregojmë se asnjë vendim nuk kemi ndërmarrë për shkak të ndonjë vullneti politik ose individual të dikujt. Por, të gjitha vendimet janë marrë në bazë të fakteve shkencore, të cilat i ka propozuar Komisioni për sëmundje ngjitëse”, thotë Osmani.
Por, infektologu Fadil Cana lehtësimin e masave e lidh me, siç shprehet ai, kalkulimet politike të partive, pasi në Maqedoninë e Veriut pritet që gjatë verës të mbahen zgjedhjet parlamentare.
“Maqedonia e Veriut duket se ditëve të fundit është peng i kalkulimeve politke dhe mosrespektimi i masave, mund të them, se nuk po vërehet nga ana e autoriteteve që janë të thirrura që këto t’i sanksionojnë. Njerëzit duket qartë se tashmë kanë marrë një liri, që të mos respektojnë masat. Sa ishte ora policore në fuqi, kam parë policinë që kalon pranë personave të grumbulluar dhe ata nuk ndalen t’i pyesin se pse janë grumbulluar”, shpjegon Cana.