Në Maqedoninë e Veriut nga sot ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave, ku përfshihen një sërë sektorësh.
Lehtësimi i masave është bërë sipas kushteve të përcaktuara nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive dhe është miratuar nga qeveria.
Punën e kanë rinisur qendrat tregtare, – por jo dhe restorantet dhe kafenetë që gjenden në to – organet e administratës, auto-shkollat, trajnimet për sportet individuale në hapësira publike, bastoret sportive përmes sistemit të sporteleve, qendrat për edukim, trajnim dhe seminare për të rritur, Enti për rehabilitim dhe sektorë të tjerë.
“Miratimi i këtyre masave është si rezultat i masave sistematike gjithëpërfshirëse, të miratuara mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive dhe analizave të tyre shkencore dhe studimeve të bëra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Nga komisioni kemi marr vlerësime se po hyjmë në një periudhë kur presim rënie të intensitetit të përhapjes së koronavirusit”, ka deklaruar kryeministri, Oliver Spasovski duke theksuar se paralajmërimet e tilla hapin mundësinë për kalimin në fazën e dytë të lehtësimit të masave kufizuese.
SHIKONI EDHE: Rimëkëmbja e ekonomisë pret zbutjen e masave kufizueseNisja e lehtësimit të masave është mirëpritur nga bizneset, të cilat thonë se po përballen me pasoja të rëndë ekonomike, rënie të vëllimit të punës, mbylljen e tyre dhe largimin e punëtorëve nga puna.
“Kjo situatë me koronavirus ka ndikuar shumë negativisht dhe të them të drejtën mezi po arrijmë të mbijetojmë, pasi që nga 19 marsi e mbyllëm zyrën dhe funksionuam vetëm me një sektor, atë për transferimin e parave”, thotë Bujamin Hasani, drejtues i një agjencie turistike.
“Një biznes privat, të mbetet gjashtë javë pa shitje është shumë e rëndë... unë nga kjo punë ushqehem, shkolloj fëmijët, kam prindërit, duhet të kujdesem për ilaçet e tyre, se di, e kemi vështirë të bëjmë edhe pagesat e ujit e të energjisë elektrike”, thotë Skënder Limani, pronar i një dyqani në Shkup.
Drejtuesit e bizneseve kërkojnë nga institucionet që sa më shpejt të dalin me masa konkrete për fazën e dytë, që parasheh lehtësime të mëtejmë.
*Video: Maqedonia e Veriut rihap xhamitë
Your browser doesn’t support HTML5
Kryeministri maqedonas, Oliver Spasovski ka thënë se të gjitha subjektet do të njoftohen me kohë për masat që pritet të miratohen. Sipas tij, stabilizimi i gjendjes do të mundësonte rimëkëmbjen e ekonomisë, por edhe mbajtjen e zgjedhjeve për të cilat, javën e ardhshme sërish do të bisedojnë liderët e partive politike.
“Jam i bindur se faza e parë do të pasohet me uljen e mëtejshme të kërcënimit nga koronavirusi, që zgjedhjet parlamentare të mund të realizohen, në mënyrë që të kemi rrethana të reja, të mbështesim dhe ndihmojmë ekonominë tonë, e cila po bëhet më dinamike dhe më e shpejtë", ka theksuar Spasovski.
Faza e dytë, që pritet të nisë nga java e ardhshme, do të përfshijë rinisjen e punës së restoranteve, kafeneve dhe objekteve tjera shërbyese, por nën masa dhe protokolle të rrepta për të mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
SHIKONI EDHE: Qytetarët detyrohen të mbajnë maska në Maqedoninë e VeriutKryeministri Spasovski ka thënë se gjatë kësaj periudhe do të vazhdojnë kontaktet me autoritetet e vendeve fqinje mbi mundësinë e hapjes së kufijve, por edhe të aeroporteve, duke ndjekur masat që po ndërmarrin shtetet evropiane dhe më gjerë.
Nga fundi i muajit maj dhe fillimi i qershorit do të nisë faza e tretë, që nënkupton normalizimin e plotë të gjendjes, por në rrethana të reja që parashikon masa mbrojtëse, si maska, dezinfektim të objekteve dhe distancë fizike.