Shkupi konfirmon planin për largim të Maqedonisë së V. nga energjia e qymyrit

Gërmime të qymyrit pranë objektit më të madh të prodhimit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut. 12 tetor 2022.

Ministria e Ekonomisë e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Botërore dhe huadhënësit tjerë ndërkombëtarë, do të mbështesin një plan prej 4 miliardë eurosh për të larguar Maqedoninë e Veriut nga energjia me qymyr.

Marrëveshja, e cila pritet të shpallet në bisedimet për klimën COP28 në Dubai, që fillojnë më 30 nëntor, do të parashtrojë një plan për mbylljen e dy termocentraleve të qymyrit dhe zëvendësimin e tyre me 1.7 gigavat energji të rinovueshme.

“Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi do të prezantojë Programin e Investimeve të Maqedonisë së Veriut në konferencën e ardhshme ndërkombëtare të 28-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike - COP28, në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe”, sqaron Ministria maqedonase e Ekonomisë.

“Plani është duke u zhvilluar dhe pritet që konsultimet publike për të, të mbahen në mesin e dhjetorit. Të dhënat (nga aspekti financiar dhe projektet e investimeve) janë ende në një version pune dhe sipas aktiviteteve aktuale dhe afateve kohore, plani pritet të finalizohet dhe miratohet në fund të janarit 2024”, thuhet më tej në komunikatën e Ministrisë.

Plani i investimit, sipas Ministrisë, është i strukturuar në tre pjesë: projektet në shndërrimin e mundshëm të termocentraleve me qymyr me investime shtesë në burimet e rinovueshme të energjisë, rigjenerimi ekonomik i rajonit të Pellagonisë dhe pjesës jugperëndimore të vendit si dhe programi i efikasitetit të energjisë, ngrohjes së pastër dhe prodhimit të decentralizuar.

Plani për Maqedoninë e Veriut është vazhdimësi e përpjekjeve të ngjashme për të larguar sa më shpejt fabrikat e qymyrit në Afrikën e Jugut, Indonezi, Vietnam dhe Senegal, me mbështetjen e qeverive, huadhënësve publikë dhe investitorëve privat.

Çmimi i tij, i barasvlershëm me 2.000 euro për secilin nga 2 milionë banorët e kombit ballkanik, nënvizon vështirësinë që hasin shumë vende të vogla, ose me të ardhura të ulëta, në financimin e një tranzicioni drejt energjisë më të pastër.

SHIKONI EDHE: Kush prodhon më shumë energji në rajon?

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut ka punuar ndër vite për t’u larguar nga qymyri, pasi Kombet e Bashkuara në vitin 2018 e quajtën Shkupin vendin më të ndotur në Evropë.

Por në vitin 2021, u rihap termocentrali me qymyr, REK Oslomej, për të shkurtuar importet e energjisë elektrike. Të dy termocentralet me qymyr janë të vjetruara dhe me linjit, që është lloji më ndotës i qymyrit.

Maqedonia e Veriut iu bashkua Aleancës Powering Past Coal - një grup vendesh të angazhuara për të hequr gradualisht energjinë me qymyr - në vitin 2021.

Shteti e shtyu datën në 2030, në janar të vitit të kaluar, edhe pse synonte përfundimin deri në vitin 2027,

Vonesa dhe planet për të hapur dy miniera të reja qymyri mes shqetësimeve për sigurinë energjetike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, pasqyruan veprimet e shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, por tërhoqën kritika nga aktivistët mjedisorë.