Autoritetet bullgare nuk pajtohen me qëndrimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, se Sofja duhet të kërkojë falje për deportimin e hebrenjve në vitin 1943 nga territori i Maqedonisë së atëhershme për në kampin shfarosës Treblinka në Poloni.
Sofja njeh faktin e dëbimit të hebrenjve nga territoret që ishin nën kontrollin e saj në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, por jo përgjegjësinë për të. Çdo vit në mars, ajo përkujton vetëm shpëtimin e hebrenjve, por jo edhe përgjegjësinë për dëbimin dhe vrasjen e mijëra të tjerëve në kampet e përqendrimit.
Presidenti bullgar, Rumen Radev, ka marrë pjesë në manifestimin përkujtimor në Sofje për shpëtimin e hebrenjve bullgarë, por nuk ka nderuar kujtimin e të dëbuarve.
“Përpjekjet për të fajësuar janë një manifestim i mungesës së respektit për hebrenjtë e shpëtuar dhe për veprën morale të Bullgarisë së vogël gjatë Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi Radev, në fjalimin e tij, por pa hyrë në detaje lidhur deportimin e hebrenjve.
Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, tha të dielën se për të pasur pajtim duhet të kërkohet falje për rolin e qeverisë profashiste të Sofjes në atë kohë në deportimin e hebrenjve nga territori maqedonas.
“Drejtësi do të thotë të njohësh dhe emërtosh të vërtetën që ajo të respektohet nga të gjithë. Që të ketë pajtim, duhet kërkuar falje për rolin e qeverisë profashiste në atë kohë në Sofje në dëbimin e hebrenjve maqedonas”, tha Pendarovski, në manifestimin e mbajtur në Shkup kushtuar 80-vjetorit të dëbimit dhe vrasjes të hebrenjve.
Eurodeputeti bullgar, Angel Xhambaski, që në publik në disa raste ka demonstruar pretendime territoriale dhe gjuhë urrejtjeje me hartën e Bullgarisë së Madhe dhe me pikëpamjet se Maqedonia e Veriut është Bullgari, shkroi në rrjetet sociale se Pendarovski me këtë kërkesë ka treguar “arrogancë skandaloze antibullgare”.
Xhambaski shkroi se autoritetet në Shkup po përpiqen të mohojnë, sipas tij, meritën e padiskutueshme historike të kombit bullgar, i cili kundërshtoi Hitlerin dhe shpëtoi hebrenjtë në Bullgari.
“Të fajësosh vetëm Bullgarinë për deportimin e hebrenjve nga Maqedonia e Veriut para 80 vjetësh është joserioze”, tha Angel Dimitrov, bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.
Në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve, BTA, Dimitrov tha se një deklaratë e tillë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e pasaktë, sipas tij.
“Të flasësh kështu për Bullgarinë është jashtëzakonisht e papranueshme, madje e pasaktë nga një politikan me përgjegjësi të madhe, qëllimi i të cilit duhet të jetë vendosja e marrëdhënieve të mira diplomatike mes dy vendeve tona”, u shpreh Dimitrov.
SHIKONI EDHE: Memoaret e hebrenjve të mbijetuar vënë në pah të vërtetat e harruaraAi tha se mbi 10.000 hebrenj me ndihmën e përfaqësive diplomatike bullgare në Evropë arritën të merrnin dokumente dhe përmes Bullgarisë të merrnin rrugën e shpëtimit.
"T'i atribuosh fajin Bullgarisë është joserioze, sepse deportimi u bë me urdhër dhe nën kontrollin e përfaqësuesve të Gjermanisë naziste", deklaroi Dimitrov për agjencinë e lajmeve BTA.
“Atëherë nuk kishte shtet maqedonas, ata ishin qytetarë të Jugosllavisë. Dhe Jugosllavia jo vetëm që po dëbonte hebrenjtë e saj, por mburrej se ishte vendi i parë që zgjidhi çështjen hebraike. Në territorin e Serbisë ka kampe përqendrimi, në të cilat hebrenjtë vendas janë shfarosur në masë”, u shpreh Dimitrov.
Por, ndryshe nga Dimitrov, një historian tjetër bullgar, Mihail Ivanov, e mbështeti thirrjen e Pendarovskit drejtuar zyrtarëve bullgarë për kërkim të faljes për depërtimin e hebrenjve.
Efraim Zurof, historian izraelit nga SHBA-ja, ishte i pranishëm në Shkup në manifestimin e 80-vjetorit të Holokaustit. Ai tha për mediat në Shkup se hulumtimet që ka bërë, dëshmojnë se “deportimi i hebrenjve nga Maqedonia e atëhershme është bërë nga Bullgaria fashiste”.
“Unë e kam hulumtuar këtë situatë, të kaluarën me Holokaustin në Maqedoni dhe e di shumë mirë se kush është përgjegjës për deportimin e hebrenjve nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi. Në Treblinka u dërguan 11.343 hebrenj dhe asnjë prej tyre nuk është kthyer. Njerëzit përgjegjës për këtë janë okupatorët bullgarë. Ata i kanë bërë deportimet. Ata e bartin përgjegjësinë për këtë krim të tmerrshëm”, deklaroi Zurof.
*Video nga arkivi: Misioni i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve
Goran Sadikaroi, drejtor ekzekutiv i Fondit të Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se deportimi i hebrenjve është bërë nga autoritetet bullgare, të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin rreshtuar përkrah Gjermanisë fashiste.
“E vërteta është një. Është fakt i pamohueshëm se Bullgaria në vitin 1941 e ka okupuar Maqedoninë pas çka edhe kanë filluar dëbimet dhe vrasjet masive të hebrenjve”, theksoi Sadikaroi.
Sipas tij, më 11 mars të vitit 1943 ushtria dhe policia bullgare me dhunë i ka dëbuar hebrenjtë nga shtëpitë e veta dhe më 22, 25 dhe 29 mars ata u deportuan nga Maqedonia e atëhershme në kampin shfarosësh nazist në Treblinka. Nga Maqedonia u deportuan 7.144 hebrenj dhe asnjë prej tyre nuk u kthye i gjallë.