Përfaqësuesit e bizneseve në Maqedoninë e Veriut shprehen se kanë humbur besimin te subjektet politike, të cilat, në çdo cikël zgjedhor vizitojnë odat ekonomike për të prezantuar programet e tyre në fushën e ekonomisë.
Vizita të tilla po bëhen edhe tani kur po zhvillohet fushata për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 24 prill dhe 8 maj.
Ulje të taksave, luftë kundër korrupsionit dhe ekonomisë të paligjshme, investime kapitale, thjeshtësim të procedurave administrative për bërje biznes, janë vetëm disa nga zotimet që partitë po bëjnë para drejtuesve të odave ekonomike.
“Në programin tonë qeverisës do të ndajnë rreth 80 milionë euro si ndihmë për kompanitë vendore, ndërkohë që 3.5 miliardë euro kemi paraparë për investime kapitale. Një pjesë të madhe të mjeteve financiare kemi paraparë për politikat tatimore, por edhe për politika të reja për konsolidimin dhe zhvillimin e kompanive”, ka thënë kryetari i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas takimit me kryetarin e Odës Ekonomike, Branko Azeski.
SHIKONI EDHE: Në Maqedoninë e Veriut nis fushata për zgjedhjet presidencialeEdhe kryetari i VMRO DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski, pas takimit me Azeskin ka bërë premtime për fushën e ekonomisë.
“Ne planifikojmë të ulim taksën e sheshtë nga 10 në 8 për qind. Ne nuk do të rimbursojmë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar [TVSH]për kompanitë me deklarata të rreme doganore miliona dollarëshe. Së dyti, do të shohim se ku zbatohet fiskalizimi dhe ku nuk zbatohet. Lufta kundër ekonomisë joformale do të jetë pjesë kryesore e programit tone, sikur edhe kushtet më të mira për investime”, ka deklaruar Mickoski.
Por, kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, ka thënë se partitë duhet të dëgjojnë bizneset për problemet që hasin në veprimtarinë e tyre dhe të merren me zgjidhjet e mundshme në programet e tyre zgjedhore.
Sipas tij, bizneset janë gënjyer shumë herë nga politikanët gjatë fushatave zgjedhore, por u shpreh se ekonomia duhet të jetë prioriteti i ekzekutivit të ardhshëm, kushdo që ta formojë atë.
"Nëse na gënjeni një herë mbase e falim, por nëse vazhdoni të gënjejnë dhe ne vazhdojmë t’iu besojmë atëherë faji nuk është vetëm i tyre, por edhe i joni. Ne duam vendin tonë dhe nuk duam të jemi budallenj. Ne duam të mbështesim çdo qeveri që e do vendin, që respekton qytetarët dhe bizneset”, deklaroi Azeski.
Çështje të njëjta janë diskutuar edhe në takimet mes partive politike me një shoqatë tjetër ekonomike, Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
“Ndërmarrjet shtetërore në duart e qytetarëve. Ne synojmë që qytetarët të marrin 49 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve publike. Krijimi i bankës shqiptare që do të ketë në fokus kryesor financimin e bizneseve shqiptare në vend. Forcimi i zonave të lira ekonomike në komunat shqiptare me qëllim zhvillimin e njëjtë sikurse edhe komunat maqedonase”, thuhet programin e koalicionit opozitar shqiptar VLEN, program i cili u është prezantuar bizneseve në Maqedoninë e Veriut.
Edhe në programin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që është pjesë e Qeverisë aktuale, janë bërë premtime të ngjashme.
“Politikat tona do të jenë gjithëpërfshirëse, ndërsa qëllimi kryesor do të jetë rritja e standardit jetësor të qytetarëve, por edhe përmirësimi i klimës së biznesit”, ka deklaruar Kreshnik Bekteshi nga radhët e BDI-së, i cili është ministër i Ekonomisë.
SHIKONI EDHE: Inflacioni i lartë gëlltiti ndihmat e shtetitKreu i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra, tha se kompanitë për momentin përballen me mungesën e fuqisë punëtore, andaj do të ishte mirë që partitë më tepër të merren me zgjidhjen e këtij problemi, apo “në programin qeverisës të përfshijnë kërkesat tona qe mund të shërbejnë edhe për hartimin e politikave shtetërore në fushën e ekonomisë”.
“Një ndër pikat kryesore është fuqia punëtore që është problem shumë i madh në Maqedoni [të Veriut], por edhe në rajon. Kemi propozuar disa zgjidhje dhe shpresoj se partitë politike do të marrin një pjesë të programit tonë dhe ta fusin në agjendën e tyre”, deklaroi ai.
Premtimet e partive politike para odave ekonomike vijnë në kohën Maqedonia e Veriut radhitet në fund të listës në mesin e shteteve të rajonit, sa i përket rritjes ekonomike, dhe kur shteti përballet me shkallë të lartë të krimit të organizuar e korrupsionit si dhe largimit të kuadrit të kualifikuar.