Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk miraton Ligjin për amnisti

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të enjten ka hedhur poshtë propozim-ligjin për amnisti të propozuar nga Qeveria, që parashikonte lirimin nga burgu të personave të dënuar deri gjashtë muaj burgim, ndërsa të dënuarit me mbi gjashtë muaj burgim, do të përfitonin ulje të dënimit prej 30 për qind.

Kundër propozimit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë kanë votuar 66 deputetë, ndërsa 17 ishin për nisjen e debatit dhe miratimin e ligjit.

Para nisjes së seancës, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, u shpërndau deputetëve fotografi me pamje të rënda të burgjeve.

Ai tha se qëllimi i amnistisë ishte shpopullimi i burgjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për të burgosurit.

“Dënimi është diçka që është kryer ndërsa amnistia është diçka që do të mundësojë socializimin dhe do të ketë efekt social. Synimi themelor është gjendja alarmante në burgje, andaj janë dhënë rekomandime dhe konstatime nga shumë institucione përkatëse. Ligji për amnisti është nevojë e menjëhershme...Një shtet që nuk i trajton të burgosurit si qenie njerëzore, nuk mund të quhet shtet”, tha Lloga gjatë prezantimit të propozim-ligjit për amnisti.

SHIKONI EDHE: Amnistia rrezikon koalicionin qeveritar

Në rast të miratimit të ligjit, nga 2.114 të dënuar, do të liroheshin 286, ndërsa do të amnistoheshin pjesërisht 996 të tjerë.

Amnistia që ai kishte propozuar nuk do të vlente për personat e dënuar me burgim të përjetshëm, të dënuarit për vrasje, përdhunim dhe disa kategori tjera të burgosurish.

Lidhja Social Demokrate në pushtet edhe më herët pati bërë të ditur se do të kundërshtonte këtë propozim me amendamente, në veçanti pjesën që mundësonte amnistinë e personave të dënuar për rastin “Monstra”, të pesë maqedonasve në vitin 2012”.

“Nuk është mirë që këta të burgosur të dalin jashtë pasi bëhet fjalë për raste që janë në interes të publikut më të gjerë. Për të pamundësuar këtë do të ndërhyjnë me amendamente”, tha zëvendësministrja e drejtësisë, Viktorija Avramovska Mandiq.

Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, kishte paralajmëruar mbi një mijë amendamente për të kundërshtuar miratimin e ligjit me arsyetimin se “propozimi do të lirojë nga burgjet kriminel dhe njerëz të afërt me pushtetin”.

Partitë opozitare shqiptare kanë thënë se “propozim-ligji paraqet propagandë të partitë në pushtet për përfitim të pikëve politike para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”.

Propozim-ligji është kritikuar edhe nga drejtuesit e institucioneve gjyqësore, të cilët e kanë vlerësuar si ndërhyrje në punën e tyre.

“Me këtë propozim bëhet ndërhyrjen në gjyqësor. Ne ndodhemi në një situatë aspak të volitshme pasi gjyqësori ndodhet përballë kritikave të shumta, ndërsa në anën tjetër kemi ndërhyrje të pushtetit ligjvënës në punën e gjyqësorit. Ne po anashkalohemi nga vendimi të mëdha, siç është rasti me ndryshimet në Kodin Penal që çuan në vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore”, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev.

Lidhur me këtë propozim më herët kishte reaguar edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, e cila i ka bërë thirrje për një proces transparent dhe të ligjshëm pasi sipas saj, qytetarët duhet ta kuptojnë se çfarë po ndodh dhe se cila është nevoja për miratimin e një ligji të tillë.