Thaçi e Ahmeti, në koalicion parazgjedhor?

Shkup, foto arkivi

Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se takimi kokë më kokë mes liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe atij të Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, ka të bëjë me paralajmërimin se këto parti në zgjedhjet e ardhshme lokale do të mund të garojnë si koalicion.

“Nxitja e një bashkëpunimi më të qëndrueshëm mes BDI-së dhe PDSH-së, i cili do të nënkuptonte dhe një koalicion të mundshëm parazgjedhor në zgjedhjet e ardhshme lokale. Që të dyja këto parti pësuan rënie të thellë në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare, ndërkohë që partitë e tjera arritën tua marrin një pjesë të konsiderueshme të terrenit politik.

"Kjo i solli para një rreziku që ua imponoi bashkëpunimin si mundësi për të ndaluar këtë rënie, ose të vazhdojnë të veprojnë veç e veç dhe të humbin gjithnjë e më shumë besimin tek elektorati i tyre”, vlerëson Xhelal Neziri analist politik.

Ilir Luma, ish-politikan, konsideron se Ali Ahmeti si lider i Bashkimit Demokratik për Integrim, synon të krijojë një komoditet më të madh në kuadër të koalicionit qeveritar, i cili mori mbështetjen e 62 deputetëve.

“Deklaratat që janë në drejtim të zgjerimit të veprimeve të mëtutjeshme të partive politike shqiptare në funksion të avancimit të çështjes shqiptare në kuadër të qeverisë aktuale mund të jenë vetëm blof politik nga ana e zotit Ahmeti".

"Megjithatë, këtu nuk besoj se bëhet fjalë për veprime prapa skene si ajo për të eliminuar ndokënd nga koalicioni, më saktësisht Aleancën për Shqiptarët, siç mëtohet të prezantohet nga ana e disa zërave që dalin në publik përmes rrjeteve sociale sepse çdo votë është shumë e rëndësishme për Ali Ahmetin për ta bërë funksional koalicionin qeverisës pjesë e së cilës është ai”, thotë Luma.

Analistët politikë nënvizojnë se divergjencat e shumta dhe përplasjet e ashpra mes këtyre dy partive gjatë 15 viteve të fundit nuk duhet parë si hendek që pamundësojnë bashkëveprimin, sepse për momentin që të dyja këto parti synojnë të ndalojnë të ashtuquajturën “rënie të lirë” veçanërisht pas përgjysmimit të numrit të deputetëve në zgjedhjet e fundit.

Ndryshe, pas takimit të së dielës, Ahmeti dhe Thaçi para mediave thanë se kanë diskutuar siç u shprehën rreth “shtrirjes së bashkëpunimit për çështjet që i prekin dhe shqetësojnë shqiptarët”.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, tha se në qendër të vëmendjes ka qenë realizimi i platformës së partive politike të shqiptarëve si dhe marrëveshja mes partive politike e njohur si Marrëveshja e Përzhinos, në të cilën janë të inkoporuara reformat që kërkohen nga grupi i ekspertëve të BE-së në krye me Reinhard Priebe.

Përderisa, lideri i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, tha se nuk bëhet fjalë për asgjë të jashtëzakonshme, por thjeshtë ky takim duhet parë si një komunikim të natyrshëm mes pozitës dhe opozitës.

Thaçi ka mohuar se gjatë këtij takimi është biseduar edhe për mundësinë që edhe partia e tij të jetë pjesë e Qeverisë së re të Maqedonisë e cila drejtohet nga Zoran Zaev.

Ndryshe, Menduh Thaçi është lider i vetëm i partive politike parlamentare i cili refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen politike të mbështetur nga të gjitha partitë politike shqiptare me ndërmjetësimin e Tiranës dhe Përzhinos.

Thaçi u arsyetua se nuk dëshiron të vendos firmën e vet në një dokument i cili tkurrë kërkesat e shqiptarëve.