Maqedoni: Gjykatat zvarrisin paditë e Speciales ndaj ish-zyrtarëve të lartë

Ilustrim(©Shutterstock)

Proceset gjyqësore kundër dhjetëra ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë jo vetëm që nuk kanë lëvizur nga pika zero, por edhe gati një muaj nga ngritja e padive penale, asnjë prej rreth 100 personave nuk i është shqiptuar masa e paraburgimit.

Gjykata e Apelit, të dielën, pritet të nisë debatin lidhur me ankesat e ish -kryeministrit, Nikolla Gruevski, të ish-ministrave, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, si dhe të disa ish-zyrtarëve të tjerë, të gjithë të akuzuar për mashtrime zgjedhore. Ata janë ankuar ndaj vendimit të gjykatës që t'i merren dokumentet e udhëtimit, ndërkohë që Prokuroria Speciale kishte kërkuan masën e paraburgimit.

“Gjykata Penale ka vepruar drejt në vlerësimin se ka bazë për ikjen e të akuzuarve, por në marrjen e vendimit për konfiskimin e pasaportave, ka gabuar, pasi të pandehurit mund të lëshojnë vendim vetëm me letërnjoftime, Gjithashtu, ekziston mundësia që ata të ndikojnë edhe ndaj dëshmitarëve në forma të ndryshme të presionit, prandaj mbeti në kërkesën për shqiptimin e masës së paraburgimit”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.

Zvarritjen e procedurave, gjykatat e arsyetojnë me të drejtën e ankesës së të akuzuarve, por ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Dane Iliev, thotë se gjykatat kanë shkelur procedurat duke theksuar se masa e paraburgimit mund të caktohet për personat në fjalë edhe pa përfunduar e gjitha procedura e ankesave ndaj vendimeve të Speciales apo të Gjykatës së shkallës së parë.

“Ankesa nuk mund të shtyjë masën e paraburgimit. Një interpretim i tillë i imponuar në opinion, nuk qëndron. Nuk ka asnjë logjikë që mos të shqiptohen masat e paraburgimit për shkak të ndikimit të gjykatësve apo që masa e tillë të shtyhet në pritje të vendimit lidhur me ankesën. Procedura është e qartë, masa e paraburgimit duhet të zbatohet menjëherë dhe ajo mund të ndryshojë nëse më pas ankesa pranohet nga organi gjyqësor”, thotë Iliev.

Të gjitha rastet që ka ngritur Specialja janë duke u proceduar nga gjykatës që kanë qenë pjesë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve, apo që janë dëgjuar duke biseduar me zyrtarë të lartë të qeverisë së kaluar në kurdisjen e proceseve të ndryshme gjyqësore, por duke u marrë edhe me punësimet apo ngritjen në karrierë të kuadrove nëpër institucionet gjyqësore.

Duke marrë parasysh këtë fakt, ekspertët thonë se edhe priten vendime të tilla nga gjykatësit apo zvarritjen e procedurave gjyqësore, përfshirë edhe caktimin e masave të kujdesit ndaj personave të akuzuar.

“Mendoj se këtu prapavija e gjithë kësaj duhet të jetë politike dhe kjo natyrisht se do të ketë pasoja të rënda, në radhë të parë do të çojë në pikëpyetje ligjshmërinë e tërë procesit gjyqësor penalo-juridik. Prandaj, meqenëse Gjyqësori nuk duhet të vendosë në bazë të kritereve politike por të zbatojë ligjin, natyrisht se duhet të ketë edhe qasje objektive, ligjore, kushtetuese sa i përket zbërthimit të këtyre proceseve gjyqësore”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Osman Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese.

Disa nga ekspertët thonë se pavarësisht se nuk janë caktuar masa të paraburgimit, vetë fakti se janë marrë masa tjera, qoftë edhe më të lehtë janë sinjal se ata paraqesin rrezik dhe se ndaj tyre do të ketë procese gjyqësore.

“Në rastin konkret ndaj personave në fjalë, janë ngritur padi penale dhe në vend që ndaj tyre të caktohet masa e paraburgimit, janë vendosur masa tjera, siç është edhe ajo e konfiskimit të dokumenteve të udhëtimit. Por, edhe kjo masë vlerësoj se ka kuptim për të se nuk e ulë vlerën e padisë penale, d.m.th. personat në fjalë sërish dyshohen për veprat penale dhe se në procedurat mëtejmë do të ndërmerren veprim për të arritur deri tek epilogu gjyqësor”, thotë Jova Tërpenovski, ish-prokuror publik.

Ai shton se lirimi i personave të tillë nga të gjitha masat e sigurisë, do të ishte precedent, por edhe në rastin konkret të zbutjes së masave dëshmohet edhe një herë se gjykatat vazhdojnë të punojnë sipas bindjeve politike apo presioneve që mund të marrin në forma të ndryshme.

Paralelisht me të akuzuarit e Prokurorisë Speciale për vepra të rënda penale, si mashtrime zgjedhore, kurdisje tenderësh, keqpërdorime të shumta financiare, presione ndaj medieve, disa vdekje misterioze e vepra tjera, po zhvillohen hetime edhe për ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 prill.

Por, edhe për këtë rast procedurat po rrjedhin me dinamikë të ngadaltë, për shkak të pengesave dhe procedurave të ndërlikuara gjyqësore.