Maqedoni: Prokuror i ri shtetëror, jashtë kontrollit të politikës

Ilustrim

Rastet e fundit të gjyqësorit në Maqedoni, i cili refuzoi të gjitha kërkesat e Prokurorisë Speciale për paraburgimin e dhjetëra zyrtarëve të ish-qeverisë së kryeministrit, Nikolla Gruevskit ndaj të cilëve janë ngritur padi penale për shpërdorim të detyrës, edhe një herë sipas ekspertëve juridikë shtron nevojën për reforma urgjente në sistemin e drejtësisë.

Vlerësimet e tyre vijnë lidhur me debatin në Kuvendin e Maqedonisë për shkarkimin e Prokurorit Publik, Marko Zvërlevski, i kritikuar për ndërhyrje në pavarësinë e gjykatave ndërsa ishte pjesë edhe e bisedave të përgjuara telefonike të publikuar nga opozita.

Me përjashtime shumë të vogla, pjesë dërrmuese e prokurorëve të deritanishëm kanë qenë dëgjues të mirë të pushtetit dhe çdonjëri prej tyre deri në shkarkimin nga detyra nuk e kanë pranuar këtë fakt. Një viktimë e likuidimit politik jam edhe unë. Prokurorët kanë qenë dhe janë të ndikuar nga politika. Ky është fakt që assesi nuk mund të mohohet. Këtë e dëshmon gjendja në të cilën ndodhet gjyqësori i përballur me kritika nga më të ndryshme, si brenda ashtu edhe jashtë vendit”, thotë Aleksandar Nakov, njohës i çështjeve juridike, duke shtuar se prokurori i ri duhet të jetë para se gjithash një personalitet jopolitik, profesionist dhe i respektuar në opinion.

Vetëm me kuadro të tillë, thotë Nakov mund të flasim për një proces të mirëfilltë për kthimin e besimit në gjyqësor.

Prokuror publik duhet të jetë një personalitet me një ego shumë të fuqishëm, luftëtar i pa kompromis kundër kriminalitetit, personalitet i pa ndikuar nga politika, apo që zgjedhja e tij nuk do të jetë objekt i kalkulimeve apo pazareve politike”, thotë Nakov.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Dane Iliev, thotë se gjyqësori është në gjendje të mjerueshme për shkak të ndërhyrjes brutale të politikës në pavarësinë e tij. Ai thotë se prokurorët e deritanishëm më shumë janë kujdesur të plotësojnë dëshirat e partive në pushtet, se sa të punojnë në vendosjen e drejtësisë.

Ata i janë ofruar garniturave politike që i kanë zgjedhur për Prokuror Publik, dhe në këtë kuadër kanë punuar për atë që është në interes të asaj garniture apo kreut të politikës ,ndërsa kjo nuk ka sjellë asnjë rezultat në punën e tyre, e që është interes i publikut”, thotë Iliev.

Disa nga ekspertët juridikë thonë se përveç shkarkimit nga detyra, Kuvendi duhet të kërkojë edhe përgjegjësi nga kush do qoftë që gjatë mandatit të tij ka bërë shkelje ligjore.

Nuk mundet që dikush që ketë ushtruar funksionin e prokurorit për dhjetë vite me radhë dhe të ketë bërë shkelje të shumta dhe të mos i nënshtrohet përgjegjësisë për atë që ka bërë. Prandaj, vlerësoj se Kuvendi duhet të gjejë forma që jo vetëm të emërojë dhe shkarkojë prokurorë, por paralelisht të ketë edhe një lojë të përgjegjësisë”, thotë Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovë.

Prokurori i ri do të zgjidhet përmes një konkursi të hapur, ndërsa deri në votimin e tij në Kuvend do të ketë edhe debate publike lidhur me nevojën e depolitizimit të gjyqësorit,i cili deri më tani është përballur me kritika të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.