Drejtorët e ndërmarrjeve, paga më të larta se presidenti dhe kryeministri

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Në Maqedoninë e Veriut më mirë është të jesh drejtor i një ndërmarrjeje shtetërore sesa president, kryeministër, ministër apo ndonjë zyrtar tjetër i lartë, thonë njohësit e çështjeve ekonomike dhe të administratës duke komentuar pagat e larta që marrin drejtuesit e këtyre ndërmarrjeve të cilat financohen nga buxheti i shtetit.

Paga e presidentit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe e deputetëve në Maqedoninë e Veriu sillet prej rreth 1500 eurosh. Ministrat marrin rrogë nga 1100 deri 1400 euro.

Kjo është tri herë më e lartë se paga mesatare në këtë shtet, e cila arrin në 500 euro.
Një punëtor, nga ana tjetër, i cili ka pagë minimale prej 300 eurosh, do të duhet të punojë më shumë se 5 muaj për të fituar aq sa këta zyrtarë në një muaj.

Profesori i së drejtës administrative, Borçe Davitkovski, thotë se “ këtë atyre këtë ua mundëson Ligji për pagat e personave të zgjedhur dhe të emëruar”.

Sipas tij, rregullimi i pagave të zyrtarëve do të jetë një detyrë djallëzore dhe shumë e vështirë.

“Sikur ta bënin këtë, mendoj se duhet t'u jepet çmimi Nobel. Le ta bëjnë, t’i nivelizojnë pagat, por edhe të kërkojnë përgjegjësi. Por, nuk besoj në këtë”, thotë Davitkovski.

Por, ata nuk janë zyrtarët më të paguar në vend. Drejtorët e kompanive shtetërore marrin dyfishin e pagave të drejtuesve më të lartë shtetërorë, bazuar në të dhënat që janë publikuar nga partia opozitare, VMRO DPMNE, në kuadër të fushatës së titulluar “Parazitët”.

Drejtori i Agjencisë së Aviacionit Civil merr pagë mujore prej 3300 eurosh, aq sa merr edhe drejtori i Postave. Rreth 3000 euro është paga e drejtorit të Bankës Maqedonase për Zhvillim, ndërsa ajo e drejtorit të Agjencisë për Komunikime Elektronike arrin në mbi 2000 euro.

Paga më të larta sesa ministrat marrin edhe drejtorët e kompanive që punojnë me humbje, si drejtorët e Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut.

Këto ndërmarrje asnjëherë nuk i realizojnë planet që i bëjnë... kurse drejtorët e tyre kanë paga të larta...".

Këto paga janë konfirmuar edhe nga shërbimet e kompanive duke theksuar se pagesat e tilla janë trashëguar dhe se nuk bëhet fjalë për rritje gjatë mandatit të tanishëm të drejtuesve të tyre.

Abil Baush, profesor i Ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se pagat e larta për drejtuesit e ndërmarrjeve shtetërore, në veçanti të atyre që punojnë me humbje, dëshmojnë, sipas tij, hipokrizinë e drejtuesve të institucioneve shtetërore. Këta udhëheqës, sipas tij, në njërën anë flasin për kursime e ndihmë të shtresave më të rrezikuara të popullatës e në anën tjetër japin shuma të majme parash për t’i mbuluar humbjet e ndërmarrjeve shtetërore.

“Këto ndërmarrje asnjëherë nuk i realizojnë planet që i bëjnë, asnjëherë nuk mund të jenë konkurrente apo të shihet produktiviteti i tyre, kurse nga ana tjetër drejtorët e tyre kanë paga të larta dhe janë në listën e Qeverisë, e cila duhet t’i mbulojë shpenzimet e tyre. Për shembull në ndërmarrjen e Hekurudhave dhe atë të Pyjeve, drejtorët e tyre kanë paga jashtëzakonisht të larta dhe nga ana tjetër ata nuk japin kurrfarë përgjegjësie për arritjen e qëllimeve që kanë ndërmarrjet që drejtojnë. Ato me vite janë ndërmarrje që punojnë me humbje dhe çdo vit humbjet e tyre i mbulon Qeveria”, thotë ai.

Ndërkaq, Davitkovski, i cili ka marrë pjesë në përgatitjen e shumë strategjive në fushën e administratës, thotë se pagat e drejtorëve të organeve dhe agjencive rregullatore nuk mund të ndryshohen pasi disa prej tyre bazohen në rregullativa ndërkombëtare.

“Ky është një problem i madh pasi në vend që t’i investojnë ato para për zhvillimin e ndërmarrjeve, ata i ndajnë për paga”, thotë Davitkovski.

Por, profesori i ekonomisë, Abil Baush thotë se ka mënyrë për vendosjen nën kontroll apo uljen e pagave të kompanive që janë në pronësi shtetërore.

“Ka dy mënyra. Së pari kur Qeveria t’i nënshkruajë kontratat me menaxherët e kompanive, duhet të ketë një trup, që do ta kontrollojë punën e menaxherëve se a po i realizojnë të gjitha synimet që i kanë. E dyta, Qeveria patjetër duhet të zbatojë sistemin e privatizimit të disa ndërmarrjeve publike ose të liberalizojë tregun e këtyre ndërmarrjeve. Pastaj sektori privat të bëjë vlerësime nëse këta drejtorë i meritojnë këto paga apo edhe t’u japin më shumë nëse bëjnë punë më të mëdha. Kjo është e vetmja mënyrë, zgjidhje tjetër nuk ka pasi të gjithë janë të mbrojtur me ligje që nuk mund të anulohen pasi do të hasnin në procedura gjyqësore që do të merrnin shumë kohë”, thotë Baush.

SHIKONI EDHE: “Aq sa kemi në xhep, aq edhe do të hamë”

Me pagat e drejtuesve të institucioneve dhe të kompanive shtetërore mbushen 3-4 shporta të konsumatorit bazuar në të dhënat e Lidhjes së Sindikatave. Shporta e konsumit për një familje katër anëtarëshe për muajin tetor, sipas Sindikatës, ka arritur në rreth 900 euro, që do të thotë se për plotësimin e nevojave elementare të një familjeje nevojiten gati tri paga minimale prej 300 eurosh.

Pasi VMRO DPMNE-ja opozitare i bëri publike pagat, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, paralajmëroi miratimin e një ligji të ri për paga, që, sipas tij, do t’i rregullonte pagat në sektorin publik.

“Ligjet e tilla nuk janë teknologji e anijeve kozmike, ligje të tilla ekzistojnë në BE dhe në rajon. Duhet të ketë vullnet politik për të bërë një ligj të tillë dhe unë kam vullnet politik 100 për qind për ta pasur këtë ligj”, tha Kovaçevski.

Zotime të këtilla ka pasur edhe më parë, por ato nuk janë miratuar, ndërkohë zyrtarët dhe drejtorët kanë vazhduar të marrin paga të majme.