Zaev pranon disa nga kërkesat e opozitës shqiptare

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka pranuar disa nga kërkesat e opozitës shqiptare, e cila mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese e ka kushtëzuar me pranimin e amendamenteve të tyre për forcimin e statusit juridik të shqiptarëve në Kushtetutë.

Pas takimit me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, kreu i Qeverisë tha se është pranuar ndryshimi i preambulës me atë që në nuk do të ketë “qytetarë të dyfishtë”.

Përkufizimi i ri i preambulës Maqedoninë e përkufizon si “shtet të qytetarëve të Maqedonisë, popullit maqedon si dhe pjesëve të popullit shqiptar, turq, rom, vllah, serb, rom, boshnjak”.

Kryeministri Zaev tha se është pranuar edhe kërkesa tjetër lidhur me kujdesin e shtetit ndaj diasporës me të cilën përmendej vetëm se kombi maqedonas, ndërsa tani në të thuhet se “shtetit do të kujdeset ndaj popullit maqedon dhe bashkësive tjera etnike që jetojnë këtu”.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela tha se për çështjen e gjuhës nuk është arritur marrëveshje, por se “nuk do të heqë dorë nga beteja që shqipja të mos përkufizohet si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës por si gjuhë shqipe”.

SHIKONI EDHE: Partitë shqiptare insistojnë që gjuha shqipe të figurojë në Kushtetutë

Ndërkohë, ende mbetet e paqartë nëse është pranuar ose jo kërkesa e Lëvizjes Besa lidhur me dokumentet personale. Kjo parti kërkon që në pasaporta dhe letërnjoftimet në grafën e shtetësisë të mos shënohet “maqedonas/qytetar i Maqedonisë së Veriut”, por vetëm se pjesa e dytë, apo të shënohet edhe përkatësia etnike e shqiptarëve.

Kryeministri Zoran Zaev, paraprakisht kishte thënë se do të bënte gjithçka për të siguruar votat edhe të këtyre partive.

“Deri në momentin e fundit do të bëj gjithçka që të sigurojmë dy të tretat e votave dhe këtë do t'ia kumtojmë opinionit në momentin e votimit dhe së bashku do të ndajmë kënaqësinë nga ajo që kemi arritur, apo do të bartim përgjegjësinë. Por, unë jam optimist para se gjithë për përgjegjësinë që e bartin të gjithë deputetët për këtë proces që kemi shansin ta përmbyllim me sukses”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë kanë kritikuar qëndrimin e partive opozitare shqiptare duke kërkuar që të venë në rrezik zgjidhjen e kontestit të emrit që zhbllokon procesin euro-integrues.

“Shërbimin më të keq që mund t'ia bëni shqiptarëve në këtë moment është që të prezantoni se shqiptarët janë ata që e pengojnë procesin e anëtarësimit të vendit në NATO. Nuk ka interes më të rëndësishëm etnik për shqiptarët se sa anëtarësimi i Maqedonisë në NATO. Ky është interes i të gjithë shqiptarëve në rajon”, ka deklaruar Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Por, kreu i Qeverisë po përballet edhe me rrezikun e humbjes së votave nga tetë deputetëve e përjashtuar të VMRO-së. Ata kanë bërë të ditur se vota e tyre mund të jetë kundër ndryshimeve nëse pranohen kërkesat e opozitës shqiptare, pasi sipas tyre heqja dorë nga përcaktimet që forcojnë identitetin maqedon, rrezikojnë zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë, të arritur më 17 qershor të vitit të kaluar, që parasheh emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut.

Njohësit e çështjeve politike thonë se vendin ndodhet para një sfide të re para amendamenteve të paraqitura nga partitë opozitare shqiptare.

Analisti, Petar Arsovski beson se procesi mund të shpëtohet në gjetjen e një kompromisi të mundshëm por jo edhe në lëshime që do t'i humbnin esencën marrëveshjes apo që do të rrezikonin votat e deputetëve të përjashtuar të VMRO-së që tani veprojnë si të pavarur.

“Nuk besoj se Zaevi do të bëjë lëshime për diçka për të cilën është marr vesh me palën greke. Këtë nuk besoj se edhe Lëvizja Besa mund ta kërkojë, e kryeministri t'ia japë. Mendoj se kompromisi i vetëm që mund të bëhet është që të ketë lehtësime gjatë zbatimit të Marrëveshjes së Prespës lidhur me ndonjë kërkesë të partive shqiptare”, thotë Arsovski.

Që të jetë e plotfuqishme, Marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë, por vetëm pasi më parë të jetë zbatuar tërësisht nga Maqedonia.