Maqedonia e Veriut telashe nga mosvaksinimi i fëmijëve

Fotografi ilustruese nga arkivi

Maqedonia e Veriut zë vendin e dytë në botë për nga numri i fëmijëve që nuk e kanë marrë asnjë vaksinë që nga lindja e tyre, thotë një raport i UNICEF-it i publikuar së fundi.

Në këtë raport theksohet se për dallim nga trendët botërorë, ku numri i fëmijëve të pavaksinuar është kryesisht në zonat rurale dhe të varfra, në Maqedoninë e Veriut ky numër është më i madh në mjediset urbane.

Maqedonia e Veriut për sa i përket përfshirjes së vaksinimit të fëmijëve ndodhet në nivelin e njëjtë me Bosnje Hercegovinën dhe Kirgistanin.

Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se mbeten të fokusuar në promovimin dhe edukimin e vazhdueshëm sa i përket përfitimit nga vaksinat, siç janë fushatat e përbashkëta me UNICEF-in dhe OBSH-në.

SHIKONI EDHE: Bie përqindja e vaksinimit të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, gjobiten prindërit

Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se për nivelin e ulët të përfshirjes së fëmijëve të vaksinuar, kanë ndikuar fushatat kundër vaksinimit që po promovohen në rrjetet sociale duke vënë në dyshim cilësinë e vaksinave.

“Njerëzit më shumë u besojnë portaleve të ndryshme dhe OJQ-ve sesa shkencës dhe ligjit. Problemi këtu është dhe te mossanksionimi i atyre që pamundësojnë vaksinimin e fëmijëve. Çdo familje duhet të përballet me sanksione nëse nuk e vaksinon fëmijën. Kemi të bëjmë me vetëdijen e prindërve si faktor shumë i rëndësishëm”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Shaban Memeti, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni të Veriut.

Përfaqësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se duhet gjetur modalitete që në sistemin e imunizimit të përfshihen fëmijët që për shkaqe të ndryshme kanë anashkaluar terminët për marrjen e vaksinave.

“Me rëndësi thelbësore është që prindërit ta kuptojnë rëndësinë e marrjes së dozave të vonuara ose të humbura të vaksinave për fëmijët e tyre. Në të njëjtën kohë, ne duhet t’i vazhdojmë përpjekjet tona për t'i bërë vaksinat lehtësisht të disponueshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në vitet e kaluara, të gjithë partnerët në vend kanë punuar në identifikimin e personave të pavaksinuar dhe jo të vaksinuar plotësisht dhe në lehtësimin e qasjes në vaksina”, vlerëson Goran Koçinski, përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

SHIKONI EDHE: Pandemia uli vaksinimin e rregullt te fëmijët

Prindërit që janë kundër vaksinave të rregullta, nuk dëshirojnë të flasin para mediave. Ata në rrjetet sociale kryesisht mbrojnë qëndrimin se vaksinat janë me cilësi të dyshimtë.

Por, prindërit që i vaksinojnë fëmijët me rregull, shfaqin shqetësim për shkak të numrit të madh të fëmijëve të pavaksinuar pasi në këtë mënyrë mund të shfaqen pandemi që, domosdo do t’i prekin dhe fëmijët e tyre.

Ivana Nikollovska, nënë e një djali 4 vjeç, thotë se djalin e ka vaksinuar me të gjitha vaksinat dhe në asnjë moment nuk ka pasur dilema për sa i përket cilësisë së vaksinave. Për të është e pakuptimtë qëndrimi i prindërve kundër vaksinimit duke e ditur që, siç thotë,”vaksinat çrrënjosën më shumë sëmundje që ishin fatale në të kaluarën”.

“Unë djalin tim e kamë vaksinuar me rregull me të gjitha vaksinat... pasi besoj se duke u vaksinuar parandalohen shumë sëmundje. Falë vaksinave djali nuk u prek as nga fruthi dhe sëmundjet që i kalonin së kaluarës. Por, ja tani ato shfaqen për fat të keq, siç është fruthi(moribili) në kopshte ku shkon dhe im bir. Disa sëmundje që ishin çrrënjosur, për fat të keq kthehen te ne sërish pikërisht për shkak të prindërve që janë kundër vaksinave”, thotë Ivana për REL-in.

SHIKONI EDHE: Shpallet epidemia e fruthit në Maqedoninë e Veriut

Në raportin e UNICEF-it theksohet se gjatë pandemisë së COVID-19 në të gjitha vendet e botës ka shënuar rënie niveli i vaksinimit të rregullt të fëmijëve si pasojë e presioneve të mëdha ndaj sistemit shëndetësor për kanalizimin e resurseve për imunizim me vaksinën kundër COVID-19, mungesës së punonjësve shëndetësorë dhe izolimit gjatë karantinës.