Sektori i biznesit e ka kundërshtuar ashpër propozimin e Qeverisë së Maqedonisë për ndryshimin e Ligjit për të ardhura personale, me tatimin progresiv (i njohur si tatimi i sheshtë), sipas të cilit ata që marrin pagë më të lartë, do të duhet të paguajnë vlerë më të lartë të tatimit, mbi 18 për qind.
Por, zyrtarët e institucioneve thonë se tatimi progresiv ka për qëllim të ulë hendekun mes të varfërve dhe të pasurve, për faktin se Maqedonia, si shtet, karakterizohet me shkallë të lartë të pabarazisë së të ardhurave.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Llukarevska, thotë se institucioni që ajo drejton tashmë ka bërë një analizë sa persona do të përfshijë reforma me jetësimin e Ligjit për tatim personal.
“Presim që të kalojë Ligji për të ardhura personale, bëmë dhe një analizë se sa persona do të përfshijë kjo reformë. 10 mijë persona realizojnë rrogë më të lartë se 90 mijë denarë (1 mijë e 500 euro), 38 mijë persona do të përfshihen në kuadër të këtij tatimi progresiv, përkatësisht atyre tatimi do t’u llogaritet në shkallë më të lartë”, thotë Llukarevska.
SHIKONI EDHE: Tatimi progresiv, pa efekte pozitive në arkën e shtetitPërmes kësaj reforme tatimore, ajo thotë se synohet të kthehet klasa e mesme.
“Unë konsideroj që ky tatim progresiv,disa herë e kam thënë, është tatim i drejtë. Kjo për shkak se ata që marrin, përkatësisht që kanë të hyra më të larta, duhet të jenë të tatimuar sipas shkallës më të lartë; ata që kanë të hyra më të vogla, duhet të tatimohen me shkallë më të ulët".
"Tendenca e ekipit ekonomik në kuadër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, është të zvogëlohet hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, përkatësisht ta kthejmë në një farë mënyre atë klasën e mesme që duhet të ekzistojë në shoqëri, në çdo shoqëri; ku rrjedhat shoqërore duhet të lëvizin në atë drejtimin e drejtë, nëse mund ta them atë kështu”, shpjegon Llukarevska.
Të gjitha odat ekonomike të Maqedonisë janë shprehur kundër aplikimit të tatimit progresiv. Sipas sektorit të biznesit, bëhet fjalë për ndryshime serioze të regjimit tatimor, përmes së cilit krijohet regjim i ri i tatimeve dhe si tillë thonë se tatimi progresiv do t'u shkaktojë një goditje të rëndë profesioneve deficitare, si sektorit të teknologjisë informative, mjekëve, dhe shtëpive konsulente.
Përfaqësues të këtyre odave ekonomike të Maqedonisë konsiderojnë se në këtë mënyrë do të rritet evazioni tatimor, andaj përmes një dokumenti të përbashkët kanë kërkuar që të anulohen reformat e paralajmëruara.
SHIKONI EDHE: Maqedoni: Ndryshimi i politikave financiare, i nevojshëmDrilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria nuk po i përfill vërejtjet e biznesmenëve, edhe pse është zotuar për një gjë të tillë.
“Ne, si odë ekonomike e kontestojmë mënyrën se si Qeveria i dha vizë këtij propozim-ligji duke e çuar në Parlament për miratim, do të thotë kërkesat e sektorit të biznesit nuk janë marrë parasysh. Pastaj, Qeveria, pasi vendosi në sistemin elektronik Ligjin në fjalë për debat publik, dhe pa e respektuar afatin ligjor, ku do të shpreheshin vërejtje dhe sugjerime, teksti i njëjtë ka kaluar tashmë në Parlament.
Ne vlerësojmë se kjo qasje nuk është në frymën e bashkëpunimit që ka pas sektori i biznesit me Qeverinë , prandaj jemi kundër formës se si ky ligj po futet në procedurë parlamentare. Nga të dhënat, me të cilat disponojmë, sektori kryesor që do të goditet nga ky ligj është ai i teknologjisë informative, aty ku ka më së shumti deficit Maqedonia”, vlerëson Iseni.
Njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se duhet të bëhet një analizë e thuktë sa para do të grumbullohen nga tatimi progresiv dhe ku do të destinohen, duke theksuar se në këtë gjendje ekonomike, në të cilën është Maqedonia, reforma rreth tatimit progresiv paraqet hap të përshpejtuar.
“Mendoj se një herë duhet të shënojë progres të dukshëm zhvillimi i ekonomisë, dhe pastaj nuk do të paraqesë problem realizimi i reformave tatimore, ose aplikimi i modeleve të reja të nënshtrimit të pagesës së tatimit. Tani për tani, në këtë situatë, në të cilën ndodhet ekonomia e vendit, mendoj se ky hap është i përshpejtuar”, thotë Shenaj Haxhimustafa, eksperte e ekonomisë.
Ndërkaq, nga Ministria e Financave thonë se sipas një analize nga ky dikaster, shteti do të arrijë të grumbullojë rreth 25 milionë euro shtesë nga pagesa e tatimit progresiv, të cilit tatim do t'i nënshtrohet vetëm 1 për qind e popullsisë mjete këto siç kanë theksuar, do të orientohen në programe të ndryshme për uljen e varfërisë.