Pjesa më e madhe e afaristëve, madje 38 për qind e kompanive në Maqedoninë e Veriut, vlerësojnë se klima e biznesit vazhdon të shënojë trend negativ, duke e apostrofuar si shumë problematike ekonominë joformale, inspektimet me prapavijë politike dhe me shumë probleme me ndryshimet e shpeshta ligjore.
Rezultatet e anketës “Vlerësimi vjetor i mjedisit të biznesit”, realizuar nga USAID-i, e cila ka përfshirë 596 kompani, kanë nxjerr në pah se 38 për qind e të anketuarve mendojnë që klima e biznesit është më e keqe, përderisa 36 për qind e tyre mendojnë që nuk ka përmirësim dhe vetëm 13 për qind e kompanive shohin përmirësim pozitiv në klimën e biznesit.
“Këto rezultate janë një indikacion, përkatësisht japin një kahe se si odat ekonomike t’i prezantojnë më mirë kërkesat e komunitetit të biznesit në kuadër të komisionit për dialog publiko-privat në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut”.
SHIKONI EDHE: Shkup: Ngecjet në negociatat me BE-në dhe zgjedhjet, efekte negative në ekonomi“Rezultatet e anketës kanë nxjerrë në pah se ende duhet të punohet në kuadër të përmirësimit të rregullativës që ka të bëjë me tatimet, mbikëqyrjen inspektuese, prokurimet publike, marrëdhëniet e punës dhe luftën me ekonominë gri”, thotë Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe kryesues i Platformës për dialog publiko-privat.
Ndërkaq, Stevco Jordanov, afarist i cili drejton një kompani që merret me industrinë e ushqimit, thotë për Radion Evropa e Lirë se shteti duhet të gjejë mekanizma funksionalë për t’i ndihmuar kompanitë vendore që të modernizojnë teknologjinë në veprimtaritë prodhuese, që këto produkte të jenë konkurruese edhe në tregun evropian.
“Ne, si industri, mundohemi që me mjetet tona, të pajisemi me makina që janë të kohës, por ato janë të kushtueshme dhe na nevojitet ndihmë për modernizmin e teknologjisë, pra kompanitë të furnizohen me pajisje adekuate që në këtë mënyrë produktet ushqimore të përpunuara, të jenë konkurruese në tregun evropian”, thotë afaristi Jordanov.
Si problematike, Jordanov thekson edhe ndryshimet e shpeshta të rregullativës ligjore.
“Në çdo rast do të thosha se ndryshimet e shpeshta ligjore, nuk janë diçka e mirë për klimën e biznesit, ngase sapo mësohemi me respektimin e ligjeve të caktuara ato pësojnë ndryshime dhe biznesit i duhet kohë që t’u përshtatet ndryshimeve ligjore, kjo ka ndikim negativ në zhvillimin e biznesit”, shton Jordanov.
SHIKONI EDHE: Maqedoni: Sundimi i ligjit, faktor kyç për zhvillimin ekonomikNdërkaq, Drilon Iseni nga Oda Ekomomike e Maqedonisë Veriperëndimore thotë se mbajtja e klimës së biznesit në një status-quo për një kohë të gjatë, ka bërë që afaristët të mos shohin dritë jeshile për ta zgjeruar biznesin e tyre.
“Situata është status-quo dhe nuk kemi ndonjë lëvizje pozitive në aspekt të përmirësimit të klimës së biznesit. Ende pjesa më e madhe e biznesit konsiderojnë se klima e të bërit biznes në Maqedoninë e Veriut është më e keqe se ajo në shtete e tjera në rajon”, thotë Iseni.
Ndryshe, anketa me kompanitë e Maqedonisë Veriore lidhur me klimën e biznesit, është realizuar në periudhën mes 24 tetorit dhe 19 nëntorit 2019.
Në bazë të këtyre analizave dhe rekomandimeve, autoritetet e vendit duhet t’i hartojnë politikat për zhvillimin e biznesit. Por, nga odat ekonomike thonë se autoritetet e vendit në shumë raste heshtin ndaj kërkesave të sektorit të biznesit.