Pas një viti e gjysmë, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut më 1 shtator nisën vitin e ri shkollor, me prezencë fizike në shkolla.
Përjashtim bëjnë shkollat në qytetin e Tetovës dhe Gostivarit, ku mësimi gjatë dy javëve të ardhshme do të zhvillohet në distancë si dhe në Strugë dhe Kërçovë gjatë javës së parë të shtatorit, pasi në këto komuna ka numër të lartë të të infektuarve me koronavirus.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska tha se “me zbatimin e protokolleve do të mundësohet që realizimi i procesit mësimor të jetë i sigurt”.
“Viti i ri shkollor 2021-2022 fillon më 1 shtator me shkolla të hapura për të gjithë nxënësit. Sistemi arsimor është plotësisht i përgatitur për ta. Gjatë periudhës së kaluar u përgatitëm intensivisht, i ndoqëm rekomandimet e institucioneve kompetente, por edhe të organizatave botërore si OBSH dhe UNICEC, përpunuam protokolle për punën dhe i ndërmorëm të gjitha masat e reja të sigurisë nga aspekti shëndetësor, në mënyrë që shkollat të mund të punojnë me prani fizike të nxënësve dhe mësimdhënësve”, tha Carovska përmes një video-mesazhi.
Në përputhje me protokollet për mbrojtje nga COVID-19, të gjithë nxënësve iu matet temperatura para se të hyjnë në shkolla dhe të gjithë duhet të dezinfektojnë shesh duart dhe të mbajnë maska gjatë gjithë kohës sa janë në shkollë.
Gura, që vijon mësimin në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Komunën e Çairit të Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se është shumë e lumtur që është kthyer në shkollë pas një kohe të gjatë dhe thotë se “edhe do të mësoj edhe do të luaj me shokët dhe shoqet e klasës”.
SHIKONI EDHE: Viti i ri shkollor me protokolle kundër COVID-19Nëna e Gurës, Diellza Miftari, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e lumtur që tre fëmijët e saj janë rikthyer në shkolla, pasi siç thotë ajo, përveç procesit mësimor, kjo do të mundësojë edhe socializmin e fëmijëve.
“Jam kundër mësimit online sepse fëmijët do të kenë probleme në të ardhmen në aspektin psikik. Unë e shoh se fëmijët tani merren më shumë me telefonin, mësimet më shumë preferojnë t’i mësojnë përmes telefonit sesa përmes librave”, thotë Miftari.
Ndërkaq, drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Çair, Burbuqe Ymeri thotë se do të jetë problem mbajtja e distancës për shkak të numrit të madh të nxënësve në këtë shkollë. Sipas saj, ndarja e nxënësve në shumë klasa është e pamundur, pasi nuk kanë hapësirë të mjaftueshme.
“Ne jemi munduar që të krijojmë kushte për të respektuar protokollet, por numri i madh i nxënësve na paraqet vështirësi. Megjithatë po mundohemi të mbajmë rendin që të mos kemi probleme. Po bëhet matja e temperaturës së nxënësve, dezinfektimi i duarve, por klasat kanë numër të madh të nxënësve që po parandalojnë që të respektojmë deri në fund protokollet”, thotë Ymeri.
Lidhur me këtë çështje, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka theksuar se do të ndiqet me vëmendje gjendja epidemiologjike dhe nëse rëndohet situata, ministria që ai drejton, do të japë rekomandime të reja.
Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE ka theksuar se jo të gjitha shkollat kanë kushte për të zbatuar protokollet kundër koronavirusit.
Nga kjo parti kanë kërkuar që të sigurohen edhe testet e shpejta, në mënyrë që të identifikohen vatrat e përhapjes së virusit.
“Kërkojmë që të sigurohen teste të shpejta për të gjitha shkollat”, ka theksuar deputetja e VMRO-së, Ivanka Vasillevska.
SHIKONI EDHE: Të rinjtë deklarohen më pak dyshues ndaj vaksinaveNë Maqedoninë e Veriut për shkak të pandemisë COVID-19 shkollat u mbyllën 11 mars 2020. Ndërkohë që në fillim të vitit të kaluar në shkollë u kthyen vetëm nxënësit e kalasë së par , dytë dhe atë të tretë, përderisa klasat tjera të shkollës fillore dhe të gjithë nxënësit e shkollave të mesme mësimin e kanë ndjekur nga distanca gjatë tërë vitit shkollor 2020/2021.
Sipas të dhënave të UNICEF-it, Maqedonia e Veriut vitin e kaluar kishte mungesë prej 52 javësh të mësimit me prezencë fizike, përderisa nxënësit në vendet e Evropës nuk ishin prezentë fizikisht në shkolla për 24 javë.