Të enjten në Maqedoni të Veriut ka vdekur një 17-vjeçare me koronavirus.
Kjo njëherësh është viktima më e re me koronavirus në këtë shtet, prej kur ka shpërthyer pandemia.
Viktima, e cila nuk ishte e vaksinuar, është nga qyteti i Demir Hisarit.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se viktima, e cila vuante nga mbipesha, është dërguar në Klinikën Infektive në Shkup në gjendje shumë të rëndë më 19 tetor, pasi një ditë më parë ishte paraqitur për herë të parë për kontroll mjekësor në Spitalin e Manastirit.
Kjo Ministri ka bërë thirrje për vaksinim, veçanërisht të fëmijëve me sëmundje kronike. Deri më tani me një dozë të vaksinës janë imunizuar 10,450 fëmijë nën moshën 18-vjeçare dhe me dy doza 9,451 fëmijë.
SHIKONI EDHE: Thirrje për vaksinim pavarësisht rënies në infektimePërkundër thirrjeve të institucioneve shëndetësore, numri i të vaksinuarve vazhdon të mbetet i ulët. Deri të enjten, me nga dy doza është vaksinuar rreth 35 për qind e popullatës apo afër 750 mijë persona, ndërsa rreth 38 për qind apo afër 800 mijë persona janë vaksinuar me dozën e parë.
Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar ndërkohë edhe për 11 të vdekur të tjerë nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 7,098, shumica prej të cilëve janë nga Shkupi.
Sa i përket të infektuarve, të enjten janë regjistruar edhe 436 raste të reja, ndërsa 321 pacient janë shëruar.
Raste aktive janë 6,499.