Të hënën, më 12 korrik, në Maqedoninë e Veriut nisi vaksinimi i qytetarëve pa termin të caktuar paraprakisht. Vaksinimi po kryhet në mbarë vendin.
Në qendrën për vaksinimin në Poliklinikën e Çairit në Shkup, Lumnije Vrenezi solli nënën e saj 76-vjeçare, që të vaksinohet.
“Për ta marrë vaksinën, nënën e kam paraqitur te mjeku amë para tre muajve, por termin nuk morën. Sot (12 korrik) erdhëm pa termin dhe nëna mori vaksinën. Iu besojmë të gjitha vaksinave. Ndoshta na bie prapë koronavirusi, por me vaksinë, sigurisht, më lehtë do ta kalojmë”, tha Vrenezi për Radion Evropa e Lirë.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga 12 korriku do të mund të vaksinohen, duke prezantuar vetëm një dokument identifikimi dhe më nuk kanë nevojë të bëjnë terminë në ueb-faqen vakcinacija.mk.
“Shpërndarjen e kanë bërë drejtorët e shtëpive të shëndetit. Asnjë vendbanim nuk ka mbetur pa u përfshirë. Procesi i vaksinimit do të bëhet në të gjithë territorin e vendit. Ekipet mjekësore do të vizitojnë çdo fshat dhe çdo lagje”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, teksa mori pjesë në hapjen të një qendre vaksinimi në Shuto Orizare.
Ai po ashtu tha se Maqedonia e Veriut nuk ka regjistruar raste të reja me variantin Delta të koronavirusit, duke shtuar se mekanizimi i vetëm për rritjen e imunitetit dhe parandalimin e një vale të re të infektimeve, mbetet vaksinimi masiv.
Ministri Filipçe tha se variantet e reja e koronavirusit janë pjesë e realitetit dhe se jeta nuk mund të ndërtohet mbi kufizime. Prandaj, sipas tij, për t’iu kthyer normalitetit, mënyra më e mirë mbetet vaksinimi.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e V. deri në fund të verës synon të arrijë imunitetin kolektivStudentja Velika, 24 vjeçe, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka vendosur që të vaksinohet, pasi kështu ndihet më e sigurt dhe mund të lëvizë më lirshëm.
Ajo thotë se nuk ka rëndësi se cilën vaksinë do ta marr.
“Erdha sot, për shkak të terminëve të lira dhe ja po vaksinohem sepse dua të jem e mbrojtur. Unë studioj dhe punoj, kam shumë kontakte dhe është bërë e vështirë që të mbrohesh (nga COVID)”, thotë ajo.
Ndërkaq, Martin Angellovski, i cili në Poliklinikën e Shkupit u vaksinua kundër koronavirusit, tha se vaksinimi i jep siguri më të madhe.
“Kur vaksinohesh je më i sigurt. Tani po kërkoj punë dhe me marrjen e vaksinës sigurohem se nuk do të kem probleme edhe nëse infektohem nga dikush”, tha ai.
Ndërkaq, Mukadeze Berisha, në të 60-tat, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk e ka problem të vaksinohet me cilëndo vaksinë që është në dispozicion.
“Mirë është ta marrësh vaksinën. Nga sot thanë se të gjithë mund ta marrin vaksinën”, thotë ajo.
Megjithatë, ka pasur edhe raste kur ka pasur tollovi gjatë procesit të vaksinimit. Në Poliklinikën Jane Sandanski, në Komunën e Aeroportit në Shkup, është dashur që të ndërhyjë edhe policia për të vënë rend.
Në këtë qendër vaksinimi, disa qytetarë thanë se për shkak të fluksit të madh për vaksinimin, u është pamundësuar marrja e dozës së dytë, për të cilën kanë pasur terminë.
“Në sallën e pritjes kishte shumë kallaballëk. Të gjithë shtyheshin, të gjithë ishin të tensionuar. Në hyrje kishte dy policë, të cilët gjoja po e mbanin radhën”, thotë Ivica Nikoliq, që kishte sjellë gjyshin e tij 86-vjeçar për ta marrë dozën e dytë të vaksinës.
Ndërkaq, ministri Filipçe, përmes një deklarate, tha se tollovitë para qendrave të vaksinimit po bëhen për shkak se qytetarët po duan që të vaksinohen në orët e para të mëngjesit, derisa edhe temperaturat janë më të ulëta.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në nivel vendi janë vaksinuar 417 mijë e 141 qytetarë. Ndërkaq, për vaksinim, në platformën vaksinacija.mk janë paraqitur 496 mijë e 228 qytetarë. Sipas këtyre të dhënave, mbi 54 për qind e qytetarëve mbi 70 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.