Uniformat e Policisë në Maqedoninë e Veriut do të jenë edhe në gjuhën shqipe, në komunat ku mbi 20 për qind e popullasisë është me shqiptarë.
Në njoftimin e Qeverisë, të publikuar të martën, 15 mars, thuhet se vendimi është miratuar në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Uniformat policore në Shkup dhe në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare (gjuhën shqipe) të ndryshme nga maqedonishtja, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që përdoret nga së paku 20 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut", thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Vendimi hyn në fuqi në ditën e tetë nga publikimi në Gazetën Zyrtare, dhe do të fillojë të zbatohet brenda një viti nga hyrja në fuqi.
Vendimi është bërë i ditur edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Sistemit Politik, Artan Grubi, i cili në rrjetet sociale ka bërë të ditur se “Qeveria ka vendosur që uniformat e policisë në të ardhmen të kenë mbishkrim edhe në gjuhën shqipe”.
“Edhe një detyrë tjetër u përmbush sot! Gjuha shqipe edhe në uniformat e policisë”, ka shkruar Grubi në rrjetin social Facebook.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të cilit gjuha shqipe përdoret gjerësisht në komunat me shumicë shqiptare, si dhe në institucionet shtetërore, është miratuar në janar të vitit 2019.
SHIKONI EDHE: Ligji për përdorimin e gjuhëve, pjesërisht i zbatueshëmNë institucionet qendrore, të gjitha tabelat janë në dy gjuhë, ndërsa në Qeveri dhe Kuvend, ministrat shqiptarë, deputetët si dhe kryetari i Kuvendit, përdorin gjuhën shqipe, ndërsa dokumentet publikohen në dy gjuhë.
Edhe në Qeveri ministrat shqiptarë kanë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në të shkruar dhe të folur.
Paritë shqiptare kanë kërkuar përdorimin e shqipes edhe në ushtri dhe kartëmonedha, por kjo është refuzuar nga Qeveria pas një mendimi të Komisionit të Venecias, që vlerëson se përdorimi i tyre bie ndesh me kushtetutën.