Shtyhet regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Shkup. Fotografi nga arkivi.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, i paraparë të realizohet në prill të vitit 2020, përfundimisht do të shtyhet për në vitin 2021, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që tashmë janë caktuar që të mbahen më 12 prill të vitit të ardhshëm.

Nga Enti Shtetëror i Statistikës, thonë se dy proceset nuk mund të realizohet paralelisht, andaj kanë kërkuar shtyrjen e regjistrimit të popullsisë.

"Sa i përket popullsisë, familjeve dhe banesave, Enti i Statistikave informon se në përputhje me praktikën dhe përvojën e vendosur ndërkombëtare, regjistrimi dhe aktivitetet zgjedhore nuk mund të zhvillohen paralelisht, ndërsa ligji për këtë operacion të miratohet para formimit të qeverisë teknike”, thuhet në një komunikatë të Entit Shtetëror të Statistikës.

Nga qeveria thonë se ligji do të miratohet pasi sipas kryeministrit, Zoran Zaev, zgjedhjet pamundësojnë mbajtjen edhe të regjistrimit në periudhën e njëjtë kohore.

“Kur vendosëm me konsensus për mbajtjen e zgjedhjeve në pranverë, kuptohet se do të humbim procesin e mbajtjes së regjistrimit. Besoj se deri në fund të vitit do të miratojmë edhe ligjin për mbajtjen e regjistrimit deri në vitin 2021”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

SHIKONI EDHE: Përqindja e shqiptarëve, sfidë për regjistrimin e popullsisë

Biljana Bejkova nga organizata joqeveritare “Info-qendër”, e cila ishte e përfshirë në fushatën “Tani regjistrim”, thotë se mosregjistrimi i popullsisë në afatin e paraparë është humbje e madhe për vendin.

“Kjo vërtetë është brengosëse, pasi jemi vendi i vetëm në Evropë i cili thuajse dy dekada nuk ka bërë regjistrimin e popullsisë. Ky është një problem i madh, por për këtë askush nuk çanë kokën, madje do të thosha se partitë sikur janë të kënaqura që kjo nuk do të ndodhë dhe zgjedhjet i shohin si arsyetim për shtyrjen e këtij procesi shumë të rëndësishëm. Ne nuk e dimë numrin e atyre që jetojnë në vend, sa është numri i atyre që kanë shtetësi të këtij shteti, të atyre që jetojnë më shumë se një vit jashtë, e kështu me radhë. Regjistrimi është i rëndësishëm për hartimin e të gjitha politikave ekonomike, sociale, arsimore, por edhe në të gjitha sferat e jetës në vend”, thotë Bejkova.

Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar që regjistrimi i popullsisë të mbahet sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se në prill të vitit 2021.

“Shtyrja kuptohet se është logjike në këto rrethana. Regjistrimi është proces nga i cili të gjithë qytetarët kanë dobi dhe duhet të lirohen nga ndikimet politike. E kuptojmë se përgatitjet teknike po zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj se do të ketë vullnet politik që të kryhet ky operacion”, ka deklaruar ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar.

SHIKONI EDHE: Maqedonia nuk ka regjistruar popullsinë prej vitit 2002

Regjistrimi i fundit i popullsisë është mbajtur në vitin 2002, nga i cili Maqedonia e Veriut rezultoi të ketë një popullsi me afër 2 milionë banorë, prej të cilëve 25.17 për qind janë shqiptarë. Pikërisht përbërja etnike e popullsisë ka qenë objekt i debateve të shumta, që ka çuar edhe në dështimin e regjistrimit të popullsisë në vitin 2011. Maqedonasit pretendojnë se numri i shqiptarëve është më i ulët, ndërsa këta të fundit thonë se janë në numër shumë më të lartë se shifrat statistikore.