Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar për 5 të vdekur nga COVID-19 dhe 104 raste të reja me koronavirus, shifra këto më të ulëta krahasuar me pesë ditët e fundit, por ato mbeten ende në nivele të larta krahasuar me periudhën e muajve mars dhe prill.
Të dhënat i referohen testimit të 841 mostrave nga rajone të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, që realizohen në disa qendra shëndetësore shtetërore dhe private në Shkup.
Sipas raportit të Ministrisë, tre viktima janë nga Shkupi të moshës 45, 73 dhe 74 vjeç, pastaj një nga Kumanova i moshës 80-vjeçare si dhe një 65-vjeçar nga Tetova.
Të gjitha viktimat ishin shtruar në spital me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, por që vuanin edhe nga sëmundje tjera kronike.
Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i viktimave nga COVID-19 ka arritur në 193, shumica prej tyre nga Shkupi, Kumanova dhe Tetova.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut heq gjendjen e jashtëzakonshmeSa i përket të infektuarve, nga 104 të diagnostikuar me koronavirus, 46 janë në Shkup, 17 në Tetovë ndërsa në 12 qytete tjera numri i të infektuarve është më i ulët se dhjetë.
Bazuar në të dhënat e publikuara, tani një javë, numri i të infektuarve është më i lartë se i të shëruarve. Kështu, nga 4,157 të prekur me koronavirus, 2,241 janë aktivë, kurse 1,723 janë shëruar.
Maqedonia e Veriut, që nga paraqitja e rastit të parë me koronavirus më 26 shkurt, ka realizuar 43,881 teste, duke u radhitur krye të shteteve të rajonit, por edhe më gjerë, për numrin e madh të testimeve për kokë banori.
SHIKONI EDHE: Mosrespektimi i masave solli valën e dytë të COVID-19 në Maqedoninë e VeriutMinistri i Shëndetësisë Venko Filipçe, sërish ka bërë thirrje për respektimin e masave, si mbajtjen e maskave, ruajtjen e distancës fizike dhe larjen e shpeshtë të duarve.
Për shkak të mosrespektimit të masave, Ministria e Punëve të Brendshme, ka njoftuar se 620 personave u janë shqiptuar gjoba, ndërsa 324 personave u është dhënë vendimi për izolim, derisa 88 të tjerë kanë firmosur deklaratë për vetizolim.