Në Maqedoninë e Veriut rinisin kontrollet te mjekët specialistë

Shkup, fotografi ilustruese.

Nga fillimi i shtatorit, në Maqedoninë e Veriut, qytetarët sërish kanë nisur që në mënyrë elektronike, të caktojnë terminet për kontrollet e tyre shëndetësore te mjekët specialistë. Por, kjo gjë po bëhet me vështirësi dhe me protokolle të veçanta për mbrojtjen nga koronavirusi i ri.

Klinikat kanë hapur dyert, por tani hyrja e personave në institucionet shëndetësore bëhet në bazë të protokolleve të veçanta. Pacientët duhet të paraqiten 15 minuta para terminit të caktuar për kontroll, me udhëzim të mjekëve specialistë. Në hyrje të institucioneve shëndetësore, pacientëve u matet temperatura, ndërkohë që lejohet hyrja e pacientit me vetëm një shoqërues.

Për disa muaj me radhë, të sëmurët kronikë e kanë pasur pothuajse të pamundur të marrin shërbime nga mjekët specialistë në klinika, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ngase dikasteri i shëndetësisë, për shkak përkeqësimit të gjendjes me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton ky virus), solli vendim për ndalimin e përkohshëm të caktimit të kontrolleve mjekësore në formë elektronike.

“Në muajin shkurt arrita të realizoj kontrollin e fundit të caktuar te mjeku specialist. Më pas, shfaqja e koronavirusit ndryshoi gjithçka. Nuk mundja të caktoj termin për kontroll, ndërkohë që koha kalonte dhe unë nuk ndjehesha mirë. Një ditë shkova vetë në klinikë dhe për fat të mirë mjeku më pranoi dhe më bëri analizat e duhura. Dhe tani serish jam në pritje të caktimit të terminit. Mjekja amë më ka njoftuar se më ka futur në listën e pritjeve dhe sapo të lirohet ndonjë termin, do më njoftojë”, rrëfen një paciente nga Kumanova.

SHIKONI EDHE: Shërimi nga COVID-19 me plazmë gjaku, kërkohen dhurues

Ndërkohë që një pjesë e madhe pacientëve, për shkak se nuk kanë arritur të marrin shërbime në klinikat shtetërore, kanë qenë të detyruar të shkojnë në klinika private.

Mjekët e përgjithshëm janë ata që u caktojnë kontrollet mjekësore në klinikat e specializuara.

Mjeku amë, Sedat Lumani, thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi “Termini im” ka filluar të funksionojë pjesërisht, përderisa kërkesat e pacientëve janë shumta, pasi ata për disa muaj nuk kanë pas mundësi që të vizitohen në klinikat e specializuara.

“Të gjitha klinikat nuk kanë hapur mundësinë e caktimit të termineve për pacientët. Ato klinika që hapën terminet, nga kërkesa e shumtë e pacientëve menjëherë u zunë dhe jemi në pritje të raundit të ri të lëshimit të termineve të reja. Mjekësia sekondare ka funksionuar edhe gjatë kësaj periudhe. Por, kemi mungesë te mjekësia terciare në disa klinika. Pacientët e rrezikuar, të cilët kanë nevojë për ndihmë nga mjekët specialistë të mjekësisë terciare, shërbehen përmes udhëzimeve urgjente, përkatësisht pa termin”, thotë Lumani.

Të sëmurët kronikë, përballen me probleme të shumta sa i përket terapisë, e cila përcaktohet pas mendimit të marrë mjeku specialist.

Kryetarja e shoqatës së mjekëve amë privatë, Lidija Dervishova-Çollakova, thekson se shumë vështirë mund të gjinden termine të lira për incizim, për shkak të mungesës së mjekëve specialistë.

Megjithatë, ajo nënvizon se është mirë që më në fund gjërat kanë filluar të funksionojnë, megjithëse me shumë vështirësi.

“Është bërë lëvizje nga pika zero sepse kemi pacientë me aritmi, të cilët kanë nevojë për kontrolle, ka pacient me metastazë, infarkt, sëmundje malinje, diabet, e të cilët vetëm pasi të realizojnë kontrolle te specialistët, qartësohet nëse duhet ose jo t’u ndryshohet terapia”, thekson Derishova-Çollakova.

Ndërkohë një pjesë e pacientëve që u ishin anuluar intervenimet kirurgjike, për shkak të pandemisë COVID-19, janë thirrur nga klinikat në bazë një liste, ku në krye janë vendosur pacientë që janë me prioritet.

“Kontrollimet e caktuara do të realizohen sipas planit dhe protokollit të përgatitur paraprakisht për punë të institucioneve, me shfrytëzim të pajisjeve të detyrueshme të mbrojtjes personale nga personeli i punësuar në të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore, respektimin e distancës fizike dhe mosgrupimit”, kanë sqaruar nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut.