Opozita e quan alibi marshin e qeverisë për drejtësi

Marshi i organizuar nga LSDM.

Marshi për drejtësi i organizuar nga Lidhja Social Demokrate në pushtet, në të cilin morën pjesë zyrtarë të shumtë, ka nxitur reagime të ndryshme në opinion duke e quajtur një veprim absurd, por edhe tentim për të fshehur, siç thonë nga opozita, dështimet e pushtetit dhe synimin për amnistinë e zyrtarëve të korruptuar.

“Zoran Zaevi nuk mund ta arsyetojë krimin, korrupsionin, rastin ‘Reketi’, e vepra tjera penale. Qytetarët nuk duan shtet ku funksionon anarkia. Ky marsh nuk është gjë tjetër pos marsh për amnisti të reja”, thuhet në reagimin e partisë opozitare, VMRO-DPMNE.

“E gjithë kjo është vetëm se një dëshpërim plotësues për qytetarët. Shansi që e gjithë kjo të përmirësohet është 12 prilli kur qytetarët do të flasin zëshëm. Unë premtoj se pas kësaj do të ketë përgjegjësi nga të gjithë ata që ka dyshime se kanë bërë shkelje, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë. Qëllimi parësor është që të kemi drejtësi të vërtetë në shtet”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Marshi nga kuvendi e deri te ndërtesa e gjyqësorit u mbajt të hënën në mbrëmje, një ditë pasi kuvendi miratoi Ligjin për Prokurorinë Publike dhe atë për Këshillin e Prokurorëve.

SHIKONI EDHE: Shkup: Kuvendi miratoi Ligjin për Prokurorinë Publike

Ish-kryeministri, Zoran Zaev, që drejton Lidhjen Social Demokrate, tha se qëllimi i protestës është që të përçojë mesazhin te populli, siç ka thënë ai se qeveria është e vendosur për të vënë drejtësinë në vend. Ai tha është i vetëdijshëm për pakënaqësitë që ekzistojnë për ngecjet në gjyqësor, por premtoi se gjendja do të përmirësohet.

“Populli jonë është i etur për drejtësi, për drejtësi efikase, për drejtësi të shpejtë, për funksionim të shtetit ligjor. Kjo që jemi mbledhur këtu është patriotizëm, po marshojmë për liri, demokraci, shtet të së drejtës”, deklaroi ish-kryeministri Zaev, duke premtuar para masës së tubuar se pas miratimit të Ligjit për Prokurorinë Publike, askush nuk do të mund t’i shpëtojë drejtësisë për shkeljet që kanë bërë.

“Për askënd nuk do të ketë amnisti të fshehtë, as për rastet e vjetra e as për ato të rejat. Çdo kush që ka shkelur ligjin do të përballet me përgjegjësi. Me këtë ligj garantojmë se asnjë politikan nuk do të mund të zgjedhin dhe emërojnë prokurorë dhe gjykatës apo të vendosin për të ardhmen e këtij vendi”, ka theksuar Zaev.

SHIKONI EDHE: Zhbogar: Reformat para datës së bisedimeve me BE-në

Qeveria duhet të angazhohet për zbatimin e ligjeve dhe sigurimin e shtetit të së drejtës dhe jo të marshojë apo të organizojë protesta, thonë ndërkohë njohësit e çështjeve juridike.

Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, këtë marsh më tepër e sheh si marketing politik sesa si përpjekje të qeverisë për ngritjen e sistemit të drejtësisë.

“Në aspektin moral bie në kundërshtim me parimet e funksionimit të shtetit të së drejtës, pasi ajo është përgjegjëse e drejtpërdrejtë si për prioritetet ashtu edhe për dështimet. Në këtë rast ajo identifikohet me dështimin. Mirëpo, vlerësoj se prapavija e gjithë kësaj qëndron në atë për të parë se sa ka mbështetje nga qytetarët”, ka deklaruar Selmani.

Veprime të ngjashme janë bërë edhe në qeverisjen e VMRO-së, por atëherë ajo protestonte kundër opozitës, duke e akuzuar se po bënte presione kundër pushtetit gjyqësor.