Polemikat për dislokimin e lojërave të fatit

Fotografi ilustruese.

Ndryshimet në Ligjin për lojërat e fatit, që po hartohen nga Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut, kanë rikthyer debatin për këtë problematikë, që është pranishme në opinion tash e disa vjet. Nga Ministria e Financave kanë bërë të ditur se draft-ligji do të hartohet në konsultim të gjerë me të gjitha palët e interesuara apo që janë të prekura me zgjidhjen që duhet të miratohet në kuvend.

Një nga pikat kryesore që është propozuar që të ndryshohet në këtë legjislacion, ka të bëjë me rritjen e tatimeve për subjektet që organizojnë lojëra të fatit, si loto, bastoret sportive, kazinotë e veprimtari tjera të bixhozit.

"Ndryshimet në ëigj janë publikuar në Regjistrin nacional elektronik, dhe më pas do të publikohet edhe teksti i ndryshimeve të propozuara në ligj. Do të ketë debat të hapur dhe konsultime me të gjithë palët e interesuara lidhur me zgjidhjet e propozuara”, thuhet në një njoftim me shkrim të Ministrisë së Financave.

Por, pikat kryesore të draft-ligjit kanë nxitur polemika të shumta, në veçanti nga shoqatat që janë për dhe kundër lojërave të fatit.

Vasko Ilievski nga Asociacioni i bastoreve sportive, thotë se propozimi që lojërat e fatit të jenë më së paku 500 metra larg shkollave fillore, të mesme dhe fakulteteve, sipas tij, nënkupton mbylljen e aktivitetit të tyre.

“Dendësia e popullatës në qytetet tona është e tillë që largësia mes shkollave nuk lë hapësirë që të ketë ndonjë objekt të lojërave të fatit. Situatë më e rëndë është në qytetet më të vogla, ku mund të kenë një rrugë kryesore me disa anësore dhe në këtë rast, ai qytet nuk do të kishte qoftë edhe një objekt të lojërave të fatit. Diçka të tillë nuk ka në asnjë vend të Evropës. Pra, askund. Atje (në Evropë) hapja e kazinove nuk kushtëzohet me largësinë e tyre nga objektet shkollore”, thotë Ilevski.

SHIKONI EDHE: Maqedoni: Kërkohet largimi i kazinove nga vendbanimet dhe shkollat

Ai shton se mbyllja e lojërave të fatit do të linte pa punë së paku tetëmijë persona që janë të punësuar në këtë veprimtari.

"Sipas analizave që kemi bërë, kjo nënkupton mbylljen e 98 për qind e të gjitha bastoreve, gjegjësisht mbylljen e gjithë kësaj dege të ekonomisë. Pasojat do të jenë të rënda, shumë familje do të mbesin pa të ardhura. Ne si shoqatë kemi të evidentuar rreth tetëmijë persona të punësuar në këto objekte të lojërave të fatit", thotë Vasko Ilievski nga Asociacioni i bastoreve sportive.

Por, qëndrim krejt të kundërt kanë nga lëvizja “Anti-bixhoz”. Xhemal Abdiu thotë se drejtuesit e shoqatës tjetër nuk brengosen për fatin e punëtorëve, por për interesat e tyre personale.

“Absolutisht nuk kanë të drejtë pasi ata shikojnë vetëm interesin e tyre personale. Ne jemi të interesuar për sistemimin e atyre që punojnë nëpër këto objekte. Ata punojnë për një rrogë minimale dhe gjysmën e saj e harxhojnë me shpresë se do të fitojnë diçka”, thotë Abdiu.

Lëvizja “Anti-bixhoz” nuk pajtohet me propozimin e Ministrisë së Financave, ndërsa kërkon mbylljen e tërësishëm të objekteve të bixhozit deri në miratimin e një ligji të ri, me të cilin do të parashihej që objekte të tillë të mos ketë së paku tri kilometra afër objekteve shkollore.

“Është një propozim i paharmonizuar. Bëhet fjalë për largimin e objekteve të lojërave të fatit në një distancë prej 500 metrave, nuk e definuar nëse largësia do të jetë në rrugë tokësore apo ajrore. Por, sidoqoftë nuk pajtohemi as me distancën, as me institucionet. Ne jemi bërë një vrimë e zezë në Ballkan. Shqipëria dhe Kosova i mbyllën lojërat e fatit, ndërsa këtu te ne lulëzon kumari. Ne kërkojmë mbylljen e menjëhershme të të gjitha objekteve të lojërave të fatit deri në sjelljen e ligjit. Kërkojmë që distanca e tyre nga vendbanimet dhe fëmijët tanë të jetë tre kilometra”, thotë Abdiu.

Your browser doesn’t support HTML5

Pikëpamjet për lojërat e fatit...

Abdiu thekson se mbyllja e lokaleve të lojërave të fatit në Kosovë dhe Shqipëri ka bërë që shumë persona nga këto vende t’ia mësyjnë Maqedonisë së Veriut për të luajtur bixhoz. Ai thotë se nuk janë të pakta rastet kur pronarët e bastoreve sportive dhe të kazinove madje organizojnë edhe transport falas për të sjellë të interesuar në lokalet e tyre.

Kjo shoqatë shumë herë ka organizuar edhe protesta, në veçanti pas vrasjes së një të riu në një objekt bixhozi në Shkup. Protestat pritet t’i riaktivizojnë nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga institucionet përkatëse.