Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut thotë se është e patolerueshme që Qeveria maqedonase ende nuk ka plan për krizën energjetike, ndërkohë që 99 për qind e problemeve që i ka sektori i biznesit në periudhën e fundit, janë shkaktuar pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
“Ekonomia është lënë pas dore, prandaj duhet një takim urgjent me përfaqësuesit e Qeverisë për të gjetur një zgjidhje për faturat e larta të energjisë elektrike për kompanitë, si dhe një plan se si vendi do të siguronte një sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike për sezonin e dimrit”, tha kreu i Odës Ekonomike, Branko Azevski.
Ndërkohë, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se kur pritet të hartohet plani për energjinë elektrike, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thanë se me rëndësi është që institucionet e shtetit, sektori i biznesit dhe amvisëritë të kuptojnë rëndësinë e kursimit të rrymës në kushtet e krizës energjetike.
“Qeveria dhe institucionet në kushte të krizës botërore energjetike theksojnë se është i patjetërsueshëm kursimi dhe shfrytëzimi racional i energjisë elektrike. Masat e Qeverisë për qytetarët në kushte të krizës së madhe vazhdojnë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për REL-in, duke mos dhënë detaje se kur ekzekutivi do të dalë me një plan konkret për kursimin e rrymës gjatë krizës.
SHIKONI EDHE: Politikat e dështuara ekonomike të Qeverisë maqedonaseNë mars të këtij viti autoritetet rekomanduar që të gjitha institucionet e shtetit, sektori i biznesit dhe amvisëritë të shfrytëzonin në mënyrë racionale energjinë elektrike.
“Rekomandohet hartimi i një plani për komunikimin e masave dhe situatës për çmimet e energjensëve, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për seriozitetin e situatës. Institucionet e shtetit dhe ato publike duhet që të propozojnë masa për racionalizmin e shpenzimeve në kuadër të kompetencave të tyre”, thuhet në vendimin e Qeverisë maqedonase të marrë katë muaj më parë.
Zdravko Josifovski nga Oda e Pavarur e Hotelerisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja e çmimit të rrymës ka imponuar rritjen e çmimeve të shërbimeve të hotelerisë.
Sektori i biznesit po kërkon që faturat e rrymës për ta të jenë me çmime të rregullta dhe jo si ato industriale. Ky përjashtim po kërkojnë që të bëhet për aq kohë sa të zgjasë kriza energjetike.
Të njëjtën kërkesë e ka edhe edhe Emilija Ivkoska, e cila menaxhon një floktari.
“Kërkojmë që rrymën, të paktën sa zgjatë kriza energjetike, mos ta paguajmë përmes tarifës industriale e cila është më e shtrenjtë, por me çmimin e rregullt, pasi na është zvogëluar edhe ashtu puna për shkak të krizës, rryma ka imponuar rritjen e çmimeve të shërbimeve tona”, thotë Ivkoska.
Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka thënë se nuk do të ketë ndërprerje të rrymës.
Por, Mitko Andreevski konsulent për energjetikë, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e një plani për menaxhimin e krizës energjetike rrezikon furnizimin e rregullt me rrymë jo vetëm për amvisëritë, por edhe sektorin e biznesit.
SHIKONI EDHE: Subvencionimi i paneleve diellore për dalje nga kriza energjetikeAndreevski, i cili ishte këshilltar për energjetikë në kabinetin e ish-kryeministrit, Zoran Zaev, thotë se theksi duhet vënë në nxitjen e prodhimit të energjisë elektrike nga ana e qytetarëve, përkatësisht përmes subvencionimit të amvisërive dhe kompanive. Në këtë mënyrë, sipas tij, rrjetit i hiqet presioni në kohën kur kapacitetet e termocentraleve nuk mund të prodhojnë sasi të mjaftueshme të energjisë për konsumatorët.
“Duhet të eliminohen të gjitha barrierat burokratike, madje të pezullohet edhe vetërregullimi për energjetikë për aq kohë sa të zgjasë kriza. Më mirë të kemi një kaos në legjislacion, përkatësisht mosrespektim të procedurave, sesa të mos kemi rrymë dhe të jemi të varur nga furnizimi jashtë vendi, që për ne paraqet kosto të lartë. Unë do të propozoja që të përfshihet në planin e Qeverisë liberalizmi i plotë i vendosjes së fotovolatikëve nga ana e kompanive sesa ata të jenë të detyruar të ulin kapacitet e tyre për shkak të faturave të larat të rrymës”, thotë ai.
Ankesat e sektorit të biznesit vijnë pasi nga 1 korriku rryma mesatarisht është shtrenjtuar për 7.4 për qind.