Maqedonia e Veriut është e gatshme të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Bojan Mariçiq, koordinator nacional për integrimin evropian në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, ai nuk dëshiron që të japë data se kur do të nisin bisedimet për anëtarësim në BE.
“Ne jemi të përgatitur për bisedime, i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe konsiderojmë se e kemi mundur qysh në tetor të marrim vendimin për fillimin e bisedimeve. Prandaj e kemi me rëndësi që vendimin për fillimin e bisedimeve, qytetarët ta marrin sa është e mundur më shpejt, që ta marrin sinjalin e vërtetë nga Bashkimi Evropian se të gjitha vendimet e vështira në periudhën e kaluar, të gjitha reformat e vështira, me të vërtetë ia kanë vlejtur (të bëhen). Kjo do të kishte qenë porosia e vërtetë ndaj qytetarëve - jo ndaj cilitdo opsion politik”, thotë Mariçiq.
Mariçiq thotë se Ligji për Prokurorinë Publike nuk është kusht, por është i rëndësishëm për Brukselin që t’i caktojë datën Maqedonisë së Veriut për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.
“Ligji për Prokurorinë Publike, asnjëherë nuk ka qenë si kusht për fillimin e bisedimeve, një asnjë, të them, plan reformues. Ajo që në çdo hap e bëjmë në drejtim të forcimit të shtetit juridik, të sundimit të së drejtës, na ndihmon. Dhe, në këtë kuptim edhe ishte përmendur disa herë nga disa shtete mike, nga disa shtete anëtare të BE-së, në kuptimin e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit, korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar, në kuptimin e vazhdimit të rasteve të Prokurorisë Publike Speciale në gjykatë. Në atë kuptim ishte i rëndësishëm dhe në atë kuptim mendoj se ishin edhe pritjet”.
“Nuk besoj se varet prej vendimit rreth këtij ligji, por do të jetë një lajm i shkëlqyeshëm dhe një sinjal i shkëlqyeshëm se Republika e Maqedonisë së Veriut mundet që edhe në këtë periudhë parazgjedhore të marrë vendime të vështira, po që se bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit në Bashkimin Evropian”, thekson Mariçiq.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut në pritje të datës së bisedimeve me BE-nëNjohësi e çështjeve juridike thonë se miratimi i Ligjit për punën e Prokurorisë Publike i jep shtytje procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë, prandaj Besa Kadriu, thotë se faktori ndërkombëtar insiston në miratimin e këtij ligji.
“Besoj që jo vetëm ky ligj (Ligji për Prokurorinë Publike), por edhe rastet e tjera që kanë mbetur të pazbardhura nga institucionet e drejtësisë, do të kërkohet që të rishqyrtohen dhe pikërisht atëherë kur këto gjëra do të marrin rrjedhën e duhur, do të kemi se do të krijojmë atë botëkuptimin se vërtet këtu ka funksionim të institucioneve shtetërore”, thotë Kadriu për Radion Evropa e Lirë.
Sfidë për Maqedoninë e Veriut mbetet zbatimi i ligjeve në kuadër të agjendës evropiane, të cilat u miratuan së fundmi nga parlamenti me procedurë të përshpejtuar.
SHIKONI EDHE: Zhbogar: Reformat para datës së bisedimeve me BE-nëSipas Bojan Mariçiq, zbatimi i këtyre ligjeve në praktikë varet nga institucionet, por edhe nga subjektet private.
“Të themi, një sferë siç është mjedisi jetësor ose tregu i brendshëm, përfshijnë rregullat që duhen të plotësohen nga të gjithë, edhe nga subjektet private, nga institucionet, nga kompanitë e kështu me radhë. Kështu që mendoj se ky është një nivel i vetëdijes, të cilin do të duhet ta arrijmë, po që se publikisht flasim për të, punojmë çdo ditë për të dhe po që se e kuptojmë rëndësinë që të kemi një ajër të pastër, nëse të gjithë nuk bëjmë diçka për të, atëherë kjo do të shkojë kot. Mendoj se kemi fuqi për këtë, po hapim tema të cilat vite më parë kanë qenë tabu dhe kjo është shenjë e mirë se shoqëria po piqet dhe se jemi të gatshëm për çështje të mëdha, për vendime të mëdha dhe besoj se asgjë më pak nuk vlen nga cilido shtet evropian”, thotë Marçiq.
Por, njohësja e çështjeve juridike, Besa Kadriu thotë se monitorimi permanent i institucioneve të Maqedonisë së Veriut, që vendoset si normë tani me ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit të BE-së, do të detyrojë institucionet, që të jetësojnë ligjet, që veçanërisht kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
“Kjo do të stimulonte vendin që të rikthehet në atë pjesë të procedurave, të cilat nuk është arritur ajo që është kërkuar, pra ‘detyrat e shtëpisë’ që Maqedonia e Veriut ka marrë si obligim ndaj Bashkimit Evropian për të plotësuar kriteret e përcaktuara nga Brukseli”, thotë Kadriu.
Vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dështuan që të marrin datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me BE-në, për shkak se Franca kërkoi që të ndryshohet procesi i pranimit të anëtarëve të rinj.
Më 15 shkurt, presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se nëse raporti i Komisionit Evropian për këto dy shtete është pozitiv, shteti i tij do të mbështesë nisjen e bisedimeve për Tiranën dhe Shkupin.