Ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë e kanë bërë të patjetërsueshme nisjen e reformave të thella në Ministrinë e Punëve të Brendshme në parandalimin e akteve te tilla, që mund të përfundonin në një luftë civile të përmasave dramatike.
Pikërisht drejtuesit e strukturave të sigurisë ishin ata që jo vetëm nuk vepruan, por besohet të jenë edhe autorët kryesore të dhunës mbi deputetët e shumicës parlamentare në Kuvend.
Ditë më parë, Qeveria me propozim të Ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e policisë sekrete dhe të shefit të sigurisë publike, Mitko Cavkov që ishte edhe drejtues i shtabit për menaxhimin e trazirave në Kuvend, i cili jo vetëm që nuk e kishte kryer këtë detyrë, por kishte lejuar pushtimin e Kuvendit nga protestuesit duke i mundësuar atyre që të dhunojnë deputetët brenda institucionit ligjvënës.
Në vend të tyre janë emëruar dy kuadro të tjerë, po ashtu të punësuar në Ministrinë e Brendshme. Por, sa janë këto ndryshime të mjaftueshme për ngritjen e profesionalizmit në sektorët e sigurisë?
Ish ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, thotë se duhet bërë reforma të thella, por fillimisht nevojitet, sipas tij, miratimi i një Ligji për reformim të kuadrove të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe të shërbimeve tjera të sigurisë.
“Vlerësoj se duhet reformimi i kuadrit. Gjithë ata që nuk i plotësojnë kushtet në aspekt të sigurisë, shëndetësore dhe të kritereve tjera , si dhe ata të përfshirë në korrupsion dhe lloje tjera të krimeve duhet të largohen. Të gjithë ata që morën pjesë në pushtimin e Kuvendit më 27 prill, duhet jo vetëm të largohen, por edhe të kërkohet përgjegjësi penale dhe të shihen lidhjet e tyre me struktura tjera të sigurisë".
"I gjithë kuadri duhet t’i nënshtrohet një filtri të ri të përgatitjes së tyre profesionale dhe më pas të hartohen masa tjera për ngritjen e nivelit të shërbimeve të sigurisë, ashtu siç funksionojnë në demokracitë e zhvilluara”, thotë Trajanov.
Your browser doesn’t support HTML5
Disa nga ekspertët nuk e pëlqejnë formën e përzgjedhjes së dy drejtuesve të sektorëve më të rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme, duke theksuar nevojën që zgjedhja e tyre të bëhej përmes konkursit, ndërsa njëri nga sektorët të rezervohej për një kuadër shqiptar, pasi kjo do të ndikonte edhe në rritjen e besimit të shqiptarëve në policinë e shtetit.
“Janë persona që për kohë të gjatë kanë punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mirëpo mënyra se si janë zgjedhur nuk është shumë transparente pasi duhej që të hapet një konkurs që të mund të konkurrojnë të gjithë ata që i plotësojnë kushtet dhe që do t’i nënshtrohen një sistemi meritor dhe jo të emërohen sipas vullnetit të ministrisë dhe atyre që janë në pushtet".
"Gjithashtu kemi shpresuar se njëri nga këta dy sektorë të rëndësishëm të udhëhiqet nga ndonjë kuadër shqiptar, mirëpo kjo edhe kësaj radhe nuk është bërë”, thotë Qebir Avziu, njohës i fushës së sigurisë.
Vlladimir Pivovarov, ish agjent i policisë sekrete dhe njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se shërbimet e sigurisë janë të politizuara në skajshmëri andaj edhe thekson nevojën për reforma urgjente, të cilat janë theksuar edhe në raportin e ekspertëve të Bashkimit Evropian.
“Raporti i Reinhard Pribes, ekspertit gjerman të deleguar nga BE-ja, ka pasqyruar nevojat reale të Maqedonisë në sektorin e sigurisë. Në këtë sferë duhet të hartojmë një strategji në të cilën nuk do të ketë vend për përfitime politike nga ana e partive. Vetëm me një qasje të këtillë janë të mundshme ndryshimet thelbësore".
"Ndërrimi vetëm i drejtuesve të sektorëve të rëndësishëm të sigurisë, nuk do të sjell rezultate, pasi nuk kemi kohë për komoditet. Shpesh herë në opinion kishte informacione për gjoja sulme të ndryshme e afera tjera të cilat asnjëherë nuk janë zbardhur gjë që flet për punë joefikase dhe të partizuar të këtyre shërbimeve pasi pikërisht pas informacionet të tilla besohet së qëndrojnë qarqe të caktuara“, thotë Pivovarov.
Me ndryshimet e fundit në ligjin për MPB-në të miratuara nga Qeveria e Gruevskit, shumë kompetenca janë bartur tek sektori i sigurisë publike duke e zhveshur thuajse nga përgjegjësitë Ministrinë e Brendshme.
Këto ndryshime janë bërë me qëllim që ministri i Qeverisë teknike që vinte nga radhët e LSDM-së, të mos ketë kompetenca mbi komandimin e policisë së uniformuar, por edhe të forcave speciale në rast të tensioneve në vend.
Qeveria e re pritet që të kthejë çështjen e kompetencave në nivelin e mëparshëm.