Maqedoni: Protesta dhe festime me rastin e 1 majit

Shkup, foto nga arkivi

Papunësia e lartë, pagat e ulëta, mungesa e perspektivës për jetë më të mirë, shkeljet e të drejtave të punëtorëve, ndryshimet ligjore në shumë sfera të ekonomisë dhe sektorëve të tjera, largimi i të rinjve nga Maqedonia, ishin disa nga shqetësimet e shprehura në protestat në Shkup më rastin e 1 majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës. Janë organizuar katër protesta nga sindikata dhe grupe të sektorit civil. Kërkesat e të gjitha grupeve ishin të njëjta, por ato nuk arritën të organizohen një protestë të vetme, megjithatë për dallim nga vitet e kaluara, të paktën u arrit të kishte protesta para Qeverisë.

“Po bëjmë jetë të rëndë, po jetojmë sot për nesër. Po na shkelen të drejtat në vendet e punës, po na e shkelin dinjitetin. Tani 27 vjet në Maqedoni po shkelen të drejtat e punëtorëve, popullata po varfërohet kurse padronët po pasurohen. Gjendja mund të ndryshojë vetëm nëse i japim fund heshtjes, vetëm nëse nuk lejojmë kjo gjendje të vazhdojë edhe më tej”, ka deklaruar Zdravko Savevski, aktivist për të drejtat e punëtorëve dhe përfaqësues i lëvizjes “E majta”.

Sipas të dhënave statistikore, papunësia tek të rinjtë në Maqedoni është 48 për qind, që paraqet nivel shumë të lartë në krahasim me mesataren evropiane prej 9.5 për qind.

Në një protestë tjetër u kërkua ndryshimi i ligjit për përmbarim për shkak të bllokimit të shumë llogarive bankare të qytetarëve. U përmend rasti i një qytetari të cilit për vetëm një denar borxh i janë marrë nga banka mbi 12 mijë denarë.

“Kërkojmë ndryshime në Ligjin për përmbarim i cili do të korrespondojë me gjendjen ekonomike në vend dhe jo ligj të përshkruar apo të modifikuar të ndonjë shteti evropian, ku standardi jetësor edhe shumë herë më i mirë se te ne. Mijëra njerëz janë bllokuar nga përmbaruesit dhe parat e fundit u janë marrë nga ana e shtetit, duhet të ketë zgjidhje. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe shumë njerëz po ikin nga vendi”, thotë Ana Gligorova, aktiviste për të drejtat e punëtorëve.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, që nga pavarësia nga Maqedonia janë larguar mbi 600 mijë njerëz. Ky trend tani ka marr hov edhe më të madh, në veçanti tek kuadri me arsim të lartë.

Për të luftuar këtë fenomen Qeveria ka ndërmarrë disa masa edhe pse vlerësohen si të pamjaftueshme. Janë ndarë rreth 17 milionë euro për punësimin e të rinjve, mbështetje për ndërmarrjet e vogla me qëllim rritjen e pagave për punëtorët. Ky program duhet të përfshijë mbi 16 mijë persona. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pas mbledhjes së Këshillit Social-ekonomik ka ftuar kompanitë që të aplikojnë për marrjen e fondeve.

“Ne jemi këtu që t’i shërbejmë qytetarëve, duke i shërbyer kompanive, rezultatin përfundimtar do të ndjejnë punëtorët. Spiralja e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Por, sindikatat janë të pakënaqura me punën e Qeverisë, e cila sipas tyre nuk ka bërë asnjë hap për zbatimin e programit të saj ekonomik.

“Qeveria e re po dëshmon se nuk ka vullnet dhe dëshirë për të përmirësuar gjendjen e punëtorëve dhe ne këtë duhet ta demaskojmë dhe jo të heshtim. Tani një vit është në pushtet dhe nuk ka realizuar asgjë nga ajo që shkruan në programin e saj për të drejtat e punëtorëve. Inspektorati i Punës është jofunksional dhe kjo bëhet me qëllim që të mos bëjë punën në funksion të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve”, thotë aktivisti Zdravko Savevski.

Por, përveç protestave ka vazhduar edhe tradita e festimeve me rastin e 1 majit edhe pse sipas Urim Saliut, njohës i zhvillimeve politike, kjo është e pakuptimtë duke marrë parasysh gjendjen në të cilën ndodhet Maqedonia.

“Në të gjitha shtetet e botës, në Evropë ku standardi i jetës është shumë më i lartë qytetarët dalin dhe protestojnë, kurse në Maqedoni në këtë ditë, fatkeqësisht nuk protestohet, por festohet. Madje, ndoshta ata të papunët më shumë festojnë se ata të punësuarit, pasi nuk kanë kohë të festojnë. Sa janë mundësitë e atyre që festojnë dihet, mundësitë financiare janë të vogla, pagat janë të ulëta, papunësia është e madhe, dikur më 30 për qind edhe pse autoritetet thonë se ajo është më e ulët”, thotë Saliu.