Sarrazin më 29 gusht në Kosovë

Manuel Sarrazin, i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor. Fotografi nga arkivi.

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, do të qëndrojë të enjten në Kosovë, bëri të ditur Ambasada gjermane në Prishtinë.

Sipas njoftimit, ai do të zhvillojë takime zyrtare dhe para përmbylljes së vizitës së tij do të ketë një deklarim për media.

Ende nuk dihet se me cilët zyrtarë do të takohet Sarrazin gjatë vizitës më 29 gusht në Kosovë dhe cilat do të jenë temat e bisedimeve.

Sarrazin u emërua në postin e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, ai ka zhvilluar një sërë vizitash në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit.

Vizitën e fundit në Kosovë, Sarrazin e zhvilloi majin e këtij viti kur u takua me krerët shtetërorë të Kosovës.

Ndërkaq, në qershor ai vizitoi Serbinë dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, bisedoi për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.