"Manifesta" në Prishtinë, si "katalizatore e ndryshimit social"

Vepra e artistes japoneze, Chiharu Shiota, në Hamamin e Madh të Prishtinës. Kjo vepër është realizuar në kuadër të "Manifesta 14".

Në Prishtinë më 21 korrik u bë hapja zyrtare e një ndër ngjarjeve më të mëdha kulturore në Evropë, “Manifestës, Bienales Evropiane Nomade”.

“Manifesta” do të nisë nga 22 korriku dhe do të mbyllet më 30 tetor dhe kjo ngjarje i kushtohet artit në hapësirat publike dhe rikthimit të hapësirave publike te qytetarët.

Në edicionin e 14-të të “Manifestës”, do të marrin pjesë 103 pjesëmarrës nga 30 shtete, përfshirë 40 nga Kosova dhe 26 nga shtetet e tjera të Ballkanit.

Drejtoresha e kësaj bienaleje, Hedwig Fijen, tha gjatë hapjes zyrtare se “Manifesta” në Prishtinë mbahet pas katër vjetësh hulumtime dhe kjo ngjarje ka për synim të shndërrohet në katalizatore të ndryshimit social.

SHIKONI EDHE: “Manifesta” zdrit Prishtinën

“Manifesta” për herë të parë po mbahet në një shtet të Ballkanit Perëndimor dhe ky edicion bazohet në pesë tema kyçe.

“Ne jemi bërë radikalisht lokalë, së dyti punojmë për trashëgimi afatgjate për qytetin dhe qytetarët, së treti ne arrijmë këtë trashëgimi përmes modelit tonë të autonomisë të angazhuar, kjo nënkuptojmë se krijojmë partneritet midis qytetit nikoqir dhe ‘Manifestës’ duke mundësuar po ashtu që të hulumtohen mundësitë dhe të zbatohen ndryshimet”, tha drejtoresha e bienales.

“E katërta, me qendrën për praktika narrative kemi përgatitur një platformë për të hulumtuar në mënyrë kolektive të kaluarën dhe shpresojmë të krijojmë një të ardhme të përbashkët. Dhe e pesta, duke shikuar kanalet që e lidhin Kosovën me pjesë tjetër të botës dhe duke imagjinuar sesi partneriteti kreativ mund të thellohet, u bë e qartë se raportet janë të njëanshme, se duhet të rrisim ndërgjegjësimin për kufizimet e padrejta të kësaj pjese të Evropës. Kosova po iu uron mirëseardhje të gjithë ju vizitorëve nga Evropa, por evropa, përfshirë qeverinë time nuk i mirëpret kosovarët që të hapin krahët e tyre për shkëmbime të ngjashme kulturore”, shtoi ajo.

“Manifesta 14” bazohet në katër shtylla kryesore që përfshijnë ish-fabrikën e tullave, hotelin Grand, në atë që quhet qendra për praktika narrative në ish-Bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’ dhe në një pjesë të 24 hapësirave gjelbëruese gjithandej qytetit të Prishtinës.

“Pjesa artistike e ‘Manifesta 14’ eksploron dhe gjeneron praktika të reja dhe modele të rrëfimit kolektiv. Shpresojmë që rrëfimi i storieve është shumë më i artikuluar sesa nëse vetëm përfshihemi në histori, identitet dhe kujtesë”, tha Hedwig Fijen.

SHIKONI EDHE:

Arkitekti gjerman: Prishtina, një kaos që duhet të ndalet“Manifesta 14” në Prishtinë sjell një model të ri bienaleje

Organizatorët e “Manifestës” thanë se duan që të nisin një bisedë me atë se çfarë duhet të ndodhë me intervenimet e kryera në Prishtinë pasi të përfundojë bienalja dhe cila është trashëgimia që lë pas bienalja sa i përket transformimit të hapësirave publike të Prishtinës.

Manifesta nomade evropiane ndërron lokacion çdo dy vjet. Ajo zgjedh rregullisht vende të papritura që të jenë qytete nikoqire.