Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka mandatuar kryetarin e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Dimitar Kovaçevski për postin e kryeministrit.
Kovaçevski dekretin e mori të mërkurën në kabinetin presidencial, pasi LSDM-ja paraprakisht e kishte njoftuar përmes një letre se ka siguruar shumicën në Kuvend për votimin e Qeverisë së re.
“Nga sot (e mërkurë) filloj të formoj ekipin e ri me njerëz që duhet t'u përgjigjen sfidave serioze që na presin nga fillimi i vitit të ri. Qeveria e re do të ketë një synim të qartë – të ofrojë siguri, jetë më të mirë dhe të ardhme të ndritur për qytetarët tanë. Angazhimi im personal është të kthej besimin e qytetarëve në politikë dhe institucionet e vendit. Kjo kërkon një qeverisje efikase, të ndershme dhe të përgjegjshme”, deklaroi Kovaçevski.
Kryetari i LSDM-së do të ketë 20 ditë afat që të dorëzojë për miratim në Kuvend përbërjen e re të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka thënë se pret që Qeveria e re të nisë punën më së voni deri më 18 janar, pas paraprakisht të jetë votuar në Kuvend me 61 vota të deputetëve.
Qeveria e re do të përbëhet nga LSDM-ja, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut drejt formimit të Qeverisë së rePas mandatimit të Dimitar Kovaçevskit, ka reaguar lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, duke thënë se nga kryeministrit i ri pret “vazhdimin e politikave të Zaevizmit (v.j. Zoran Zaevit), dështimet dhe mungesën e strategjisë për të ardhmen e vendit”.
“Kam dëgjuar prononcimet e tij për mediat dhe asgjë nuk pres nga ai. Asnjë fjalë apo fjali nuk mund të komentoj pasi asgjë nuk ofron vazhdimit të politikave të Zaevit…shteti i robëruar dhe regjimi hibrid do të vazhdojnë”, ka deklaruar Mickoski.
Ai tha se presidenti, Stevo Pendarovski ka gabuar me vendimin që mandatin t’ia japë Kovaçevski, pasi sipas tij, kreu i ri i LSDM-së nuk ka legjitimiteti të drejtojë Qeverinë e re.
“VMRO-DPMNE është parti politike me grupin më të madh parlamentar në Kuvend. VMRO-DPMNE është parti me më së shumti kryetarë komunash. Pendarovski vazhdon të jetë pjesë e regjimin hibrid dhe shtetit të kapur. Ai vendosi që t'ia japë mandatin një personi që nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, as që ka kërkuar besim dhe që nuk ka legjitimitet popullor”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Dimitar Kovaçevski në postin e kryeministrit pason Zoran Zaev, i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe i kryetarit të LSDM-së për shkak të humbjes në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor.