Mali i Zi, 15 vjet shtet në 15 foto

2006 - REFERENDUMI

Festimet shpërthyen në Podgoricë, pas rezultatit të referendumit. Në votim morën pjesë 86.5 për qind e personave me të drejtë vote - 55.5 për qind e mbështetën pavarësimin, përderisa 44.5 për qind e qytetarëve dëshiruan të ruanin shtetin e përbashkët me Serbinë.

2007 - MBLEDHJA E PARË E KUVENDIT MALAZIAS

Kuvendi i Malit të Zi mbajti mbledhjen e parë, ku miratoi Kushtetutën e vendit, e cila përcaktoi përdorimin e gjuhës, himnit dhe flamurit të shtetit.

Mali i Zi është njohur nga 182 shtete. E para që e njohu ishte Islanda.

2008 - INVESTIMET RUSE DHE MADONNA

Vitet e para të pavarësisë u shënuan nga një zhvillim i shpejtë ekonomik dhe investime të mëdha në patundshmëri, kryesisht nga investitorë rusë, veçanërisht në zonat bregdetare.

U mbajt koncerti më i madh dhe më i shtrenjtë në historinë e Malit të Zi. U raportua se koncerti dyorësh i yllit botëror të muzikës pop, Madonna, në plazhin e Jazit, afër Budvës, kushtoi 5.3 milionë euro.

2008 - "PESHKAQENËT" DHE "LUANESHAT"

Ekipi i Malit të Zi në vaterpolo fitoi vendin e parë në Kampionatin Evropian në Malaga, medalja e parë e artë për Malin e Zi të pavarur. Në finale, “peshkaqenët” mposhtën Serbinë.

Një sukses i ngjashëm u arrit katër vjet më vonë, nga lojtaret e hendbollit, të cilat u bënë kampione të Evropës, në kampionatin e zhvilluar në Beograd. “Luaneshat” mundën Norvegjinë.

2010 - KANDIDATURA PËR ANËTARËSIM NË BE

Mali i Zi u bë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe hapi negociatat më 2021. Deri më tani, të gjithë kapitujt janë hapur, dhe tre prej tyre janë mbyllur përkohësisht. Shteti ka më së shumti probleme me përmbushjen e standardeve të zbatimit të ligjit.

2013 - PARADA E KRENARISË

Parada e parë e Krenarisë në Malin e Zi u mbajt në Budvë, ku u zhvilluan përleshje të ashpra mes policisë dhe kundërshtuesve të marshit. Shumë persona u lënduan, dhe shumë të tjerë u arrestuan.

Parada u përkrah nga ambasadat, organizatat ndërkombëtare dhe qeveria e Malit të Zi. Organizimet e ardhshme ishin më të qeta, e më të shpeshta. Shtatë vjet më vonë, Kuvendi i Malit të Zi miratoi Ligjin për partneritetet civile mes personave të gjinisë së njëjtë, zbatimi i të cilit pritet të fillojë këtë vit.

2015 - PROTESTAT E OPOZITËS

Protestat e para të mëdha opozitare u mbajtën para ndërtesës së Kuvendit të Malit të Zi, në të cilat përfaqësuesit e Fronit Demokratik proserb i kërkuan autoriteteve të atëhershme nga Partia Demokratike e Socialistëve që të formonin një qeveri kalimtare, dhe të mbanin zgjedhje të lira.
Ata vendosën tenda, të cilat policia i hoqi pas njëzet ditësh.

Kulmi i protestës u shënua më 24 tetor, kur një masë njerëzish, e udhëhequr nga krerët e FD-së, u përpoqën të hynin me forcë në Kuvend – por u ndalën nga policia. Në protesta u lënduan 40 persona.
 

2015 - AUTOSTRADA

Nisi ndërtimi i segmentit të parë të autostradës në Malin e Zi, nga një kompani kineze. Ndonëse ishte paraparë të kryhej më 2019, rruga nuk është përfunduar ende.

Projekti e ka zhytur Malin e Zi në një borxh të madh, që po rëndon mbi ekonominë e tij, të prekur edhe nga pandemia e COVID-19.

2016 - CHARLES DHE CAMILLA

Princi Charles dhe dukesha Camilla bënë një vizitë zyrtare në Malin e Zi, e para nga pjesëtarë të familjes mbretërore britanike në Malin e Zi të pavarur. Ata nisën vizitën në Cetinje, ku i priti presidenti Filip Vujanoviq.
 

2016 - PËRPJEKJA PËR GRUSHT SHTETI

Në ditën e zgjedhjeve parlamentare në tetorin e 2016-s, zyra e prokurorit të Malit të Zi dhe policia njoftuan se kishin penguar një komplot nga disa persona për të pushtuar ndërtesën e Qeverisë dhe për të vrarë kryeministrin Milo Gjukanoviq, në një përpjekje për të bllokuar hyrjen e Malit të Zi në NATO.

Në hetimet dhe gjykimin që pasoi, 14 persona, përfshirë udhëheqës të Frontit Demokratik, disa qytetarë serbë dhe dy rusë, u akuzuan për përpjekje për terrorizëm. Në majin e vitit 2019, ata u dënuan me gjithsej 70 vjet burgim, por në shkurtin e 2021-s, Gjykata e Apelit e Malit të Zi e anuloi vendimin dhe e ktheu rastin në rigjykim.

2017 - NATO DHE PENCE

Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s, pas aprovimit të anëtarësimit nga deputetët e Kuvendit të Malit të Zi më 28 prill, në Cetinje.

Anëtarësimi u parapri nga kundërshtime të ashpra nga Fronti Demokratik proserb, mbështetësit e të cilit protestuan para ndërtesës ku po zhvillohej seanca, bashkë me disa organizata të tjera, të cilat dogjën flamurin e NATO-s. Rrugës drejt anëtarësimit, Mali i Zi pati edhe një kundërshtar të fuqishëm në skenën ndërkombëtare – Rusinë.

Në të njëjtin vit, nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pence, e vizitoi Malin e Zi. Ai foli me zyrtarët malazias për sigurinë në rajon, ndikimin rus dhe integrimin euroatlantik.

2018 - VITI I HUMANITETIT

Tatjana Vukiqeviq nga Nikshiqi i dhuroi njërën veshkë një fqinji 20 vjet më të ri. Ky gjest i motivoi edhe disa bashkëqytetarë të Tatjanës që të veprojnë njëjtë.

Në të njëjtin vit, Nina Vojinoviq nga Nikshiqi i dhuroi njërën veshkë një të riu të panjohur, ndërsa më pas të tjerët ndoqën shembullin e saj.

2019 - PROTESTAT QYTETARE​
 
Protestat më të mëdha qytetare në Malin e Zi u mbajtën më 2019, të organizuara nga lëvizja “Rezisto”. Mijëra qytetarë protestuan për muaj me radhë, pas zbulimit të aferës “Zarfi”, që ekspozoi korrupsionin politik të qeverisë.

Qytetarët kërkuan dorëheqjen e udhëheqësve të shtetit malazias, të qeverisë dhe të gjyqësorit, duke i mbajtur ata përgjegjës për korrupsion të vazhdueshëm. Protestat u dobësuan, pasi atyre iu bashkuan partitë opozitare.

2020 - KISHA SERBE

Viti i kaluar u shënua nga procese gjyqësore dhe protesta masive të organizuara nga Kisha Ortodokse Serbe në Malin e Zi, kundër miratimit të Ligjit për Liritë Fetare, i cili parasheh që pronat për të cilat kisha nuk ka dëshmi pronësie të bëhen prona shtetërore.

Dhjetëra mijëra besimtarë nga të gjitha qytetet e Malit të Zi morën pjesë në liturgjitë e organizuara, dhe ata u udhëhoqën nga mitropoliti Amfilohije, i cili vdiq në nëntor nga koronavirusi.

2020 - NDËRRIMI I PUSHTETIT

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 30 gusht, në Malin e Zi, qeveria u ndërrua pas tri dekadash. Fronti Demokratik proserb, demokratët dhe lëvizja qytetare URA fituan zgjedhjet.

Në dhjetor, u zgjodh qeveria e udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiq, i cili, si person jopartiak, udhëhoqi bllokun opozitar në zgjedhje, pas sugjerimit të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi.

Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviq doli në opozitë, përderisa ai vetë mbeti në postin e presidentit të Malit të Zi.