Presidenti veteran i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, do të përballet në balotazh me ish-ministrin e Ekonomisë, Jakov Millatoviq, më 2 prill, pasi asnjëri prej shtatë kandidatëve në garën për president nuk kanë arritur të fitojnë 50 për qind të votave.
Qytetarët e Malit të Zi kanë votuar të dielën për të zgjedhur presidentin e vendit.
Sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ka shkuar në 63.6 për qind.
Gjukanoviq ka thënë se është i kënaqur me rezultatin.
“Kam fituar më shumë se 120.000 vota, ky është rezultat i vlefshëm. Kjo është përparësi serioze ndaj kandidatit tjetër. Ne jemi të gëzuar për një nivel të tillë të mbështetjes, dhe kjo është bazë e mirë që do të na çojë drejt fitores”.
Ish-ministri Millatoviq, ekonomist pro-evropian nga lëvizja Evropa Tani, ka thënë se rezultati i tij përbën fitore në këto zgjedhje.
“Kam premtuar se do të fitojmë, dhe fituam. Kjo është fitore për të gjithë ata që janë diskriminuar në 30 vjetët e fundit, fëmijët e të cilëve janë larguar nga Mali i Zi, për ata që nuk ka pasur drejtësi. Ne do ta dërgojmë Gjukanoviqin në pension politik, më 2 prill”.
Rezultati zyrtar nuk pritet të publikohet disa ditë, për shkak të shqyrtimit të ankesave.
Gjukanoviq ka shërbyer si president, ose kryeministër, i Malit të Zi, për 33 vjet.
SHIKONI EDHE: Presidencialet në Mal të Zi: Gjukanoviq shpreson edhe në një mandatPërveç Gjukanoviqit dhe Millatoviqit, në garë kanë qenë edhe: Andrija Mandiq, politikan pro-rus dhe pro-serb, Alleksa Beçiq, ish-kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve; Goran Danilloviq, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar; Draginja Vuksanoviq Stankoviq nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Radulloviq, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në mediat sociale.
Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s, ka rreth 625.000 banorë.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 542.154 qytetarë.