Mali i Zi dhe Serbia zotohen për marrëdhënie më të mira

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq.

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, tha se shpreson që vendi i saj të rivendosë marrëdhënie më të mira me Malin e Zi.

Bërnabiq i bëri komentet pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq në Beograd.

“Kjo vizitë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, tha Bërnabiq.

Ajo tha se ka pasur bisedime “të mira, konkrete, dhe pragmatike” me Abazoviqin, dhe se kanë identifikuar disa çështje që mund t’i zgjidhin.

Si një prej tyre, ajo përmendi çështjen e transaksioneve të drejtpërdrejta, e cila, siç tha, mund të fillojë të zgjidhet menjëherë.

Sipas saj, bisedimet kanë prekur edhe çështjen e ushqimit, energjisë dhe lidhjeve infrastrukturore.

“Derisa ne kemi ushqim, partnerët dhe miqtë tanë në rajon do të kenë ushqim, e Serbia ka ushqim të mjaftueshëm”, tha Bërnabiq.

Ajo po ashtu tha se ka ftuar Abazoviqin që Mali i Zi t’i bashkohet nismës Ballkani i Hapur.

“Një gjë e tillë do të nënkuptonte një rajon shumë më të lidhur, siguri më të madhe, një shtysë më të madhe për ekonominë dhe besueshmëri për investime të huaja”, tha kryeministrja serbe.

Nisma rajonale Ballkani i Hapur është krijuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

SHIKONI EDHE: A bie ndesh Ballkani i Hapur me Procesin e Berlinit?

Ajo parasheh qarkullim më të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, por pjesë e saj nuk janë ende tri vende tjera të Ballkanit Perëndimor: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

Abazoviq: Jemi gati të kthejmë një faqe të re

“Ne jemi sot këtu për të kthyer një faqe të re, dhe për të ngritur marrëdhëniet mes dy vendeve në nivelin më të lartë të mundshëm”, tha kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

“Ju te ne mund të gjeni një mik të madh”, shtoi ai.

Abazoviq shfaqi besimin se nuk ka asnjë çështje të pazgjidhshme nëse ka vullnet të mirë.

“Dhe më besoni, ndjej se këtu ka vullnet të mirë”, tha ai.

Pas takimit me Bërnabiqin, Abazoviq u prit në drekë pune nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Jemi pajtuar që të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie më të mira”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pësuar rënie të mprehtë, pasi Mali i Zi ka shpallur pavarësinë në vitin 2006, duke u ndarë nga unioni me Serbinë.

Autoritetet malazeze kanë akuzuar shpesh Beogradin zyrtar për mbështetje të opozitës pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi, si dhe për mbështetjen e disa protestave në vitin 2020 kundër një ligji për liritë fetare.

Këto protesta janë organizuar nga Kisha Ortodokse Serbe.

SHIKONI EDHE: Arrestimi i priftërinjëve nxit trazira në Mal të Zi