Macron takon rivalët partiakë pas humbjes së shumicës

Presidenti francez Emmanuel Macron.

Presidenti francez Emmanuel Macron, do të takohet me kundërshtarët politikë të martën, pasi koalicioni i tij nuk ka arritur të fitojë shumicën në zgjedhjet parlamentare.

Macron tani është nën presion për të siguruar mbështetje nga rivalët, në mënyrë që të çojë përpara agjendën për reforma.

Mirëpo as Marine Le Pen, nga e djathta ekstreme dhe as Jean-Luc Mélenchon nga aleanca e të majtëve dhe të gjelbërve, nuk janë shumë të interesuar që të punojnë me të.

Qeveritë e pakicës janë të rralla në Francë dhe aleancës së Macronit i mungojnë 44 ulëse për të krijuar shumicën.

SHIKONI EDHE: Macron humb shumicën në Parlamentin francez

Kjo nënkupton se atij do t’i duhet mbështetje nga ligjvënësit e së djathtës dhe të majtës për të krijuar një shumicë funksionale.

Përfaqësuesit partiakë do të vizitojnë ndaras Pallatin Elysee, për të zhvilluar takime të nivelit të lartë.

Analistët kanë thënë se presidenti mund të synojë arritjen e një marrëveshjeje me republikanët dhe lideri i kësaj partie, Christian Jacob, ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Sipas agjencisë së lajmeve, AFP, Le Pen do të marrë pjesë në takime, por jo edhe Mélenchon.

Qeveria e qendrës është duke tentuar që të shmangë paralizat politike, pas humbjes së shumicës, meqë në publik kanë dalë zëra se Franca është duke u bërë e paqeverisshme.

Macronit do t’i duhet të zëvendësojë tre ministra që kanë humbur ulëset e tyre në votën e së dielës, derisa edhe e ardhmja e kryeministres Elisabeth Borne, duket se është në rrezik.

Më shumë se gjysma e votuesve kanë abstenuar në zgjedhjet ku ka marrë pjesë 46.23 për qind e popullsisë.