Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të vazhdojë me planet e tij për reformën në pensione, pavarësisht protestave masive që kanë zgjatur me javë të tëra në Francë.
"Njerëzit thellë-thellë e dinë se duhet të punojmë pak më gjatë, përndryshe nuk do të jemi në gjendje t’i financojmë pensionet tona siç duhet", tha ai të martën në Paris.
Plani i Macronit për të rritur moshën e pensionimit nga 62 në 64 vjeç është reforma e tij më e madhe gjatë mandatit të dytë presidencial.
Për javë të tëra, Macron nuk ishte deklaruar publikisht për këtë çështje, e cila nxiti protesta masive në Francë. Sondazhet e opinionit tregojnë se shumica e francezëve janë kundër planit.
“Reformat nuk kanë alternativë”, shtoi ai, sepse “publiku as nuk dëshiron të paguajë kontribute më të larta dhe as të pranojë ulje të pensioneve”.
SHIKONI EDHE: Protesta masive në Francë kundër planit për pensione të MacronitFranca ka moshën më të ulët të kualifikimit për pension shtetëror në mesin e ekonomive më të mëdha evropiane.
Pensioni mesatar është 1.400 euro në muaj, pasi të zbriten taksat.
Qeveria ka thënë se ndryshimet janë të nevojshme për të garantuar të ardhmen e financimit të sistemit pensional, që pritet të kalojë në deficit në vitet e ardhshme - për shkak të plakjes së popullsisë.
Tetë sindikatat kryesore të punëtorëve të Francës janë duke i bërë thirrje Qeverisë që të heqë dorë nga masa e moshës.
Është hera e parë që nga viti 2010 që të gjitha sindikatat i bashkojnë forcat kundër një reforme të planifikuar.
Kundërshtarët thonë se ka mënyra të tjera për të siguruar financimin e pensioneve - për shembull nëpërmjet një takse për të pasurit ose rritjes së kontributeve në listën e pagave, që paguhen nga punëdhënësit.
Qeveria synon ta miratojë legjislacionin e ri deri në verë, në mënyrë që ndryshimet të hyjnë në fuqi në shtator.