Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se ndonëse zgjidhja e mbledhjes së trupave ruse afër kufirit me Ukrainën mund të marrë muaj, ende ka hapësirë për “të ecur përpara”.
Ai i ka bërë këto deklarata pas bisedimeve të zhvilluara me liderin rus, Vladimir Putin dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
“Ne kemi mundësi t’i çojmë përpara këto negociata”, në mes të Rusisë dhe Ukrainës, ka thënë Macron pas takimit që ka zhvilluar në Kiev me homologun e tij ukrainas, Zelenskiy, duke shtuar se ai sheh “zgjidhje konkrete dhe praktike” për ulje të tensioneve në mes të Moskës dhe Perëndimit.
Macron nuk ka dhënë hollësi për diskutimet, dhe ka thënë se askush nuk duhet të jetë “naiv” për pozicionimin e “pashembullt” të trupave të Rusisë afër kufirit me Ukrainën.
“Duke marrë këtë pozicion kërcënues, Rusia ka vendosur të bëjë presion ndaj komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Macron një ditë pasi ka takuar Putinin në Moskë.
“Ne nuk mund të nënvlerësojmë momentin e tensionit në të cilin po jetojmë”, ka shtuar ai.
Perëndimi frikësohet se pozicionimi i trupave ruse mund të çojë në pushtim të Ukrainës.
Moska insiston se nuk ka plane për të sulmuar Ukrainën, mirëpo ka vazhduar të bëjë lëvizje provokatore ushtarake, ndërkohë që kërkon garanci nga Perëndimi se NATO-ja nuk do të pranojë Ukrainën dhe ish-kombet tjera sovjetike në këtë aleancë.
Rusia po ashtu ka kërkuar që të mos ketë prezencë të armëve të Perëndimit në lindje të Evropës.
Si Uashingtoni, ashtu edhe NATO-ja kanë thënë se këto kërkesa janë të panegociueshme.
Macron ka thënë më herët se se ai ka bërë propozime për “garanci konkrete për siguri” për Putinin dhe se lideri rus e ka siguruar atë për “gatishmëri që të angazhohet në këtë drejtim dhe për dëshirën që të ketë stabilitet dhe integritet territorial në Ukrainë”.
“Jam siguruar se nuk do të ketë degradim dhe as përshkallëzim”, ka thënë Macron para gazetarëve kur ka arritur të martën në Kiev.
Në konferencën me Macronin, Zelenskyi ka thënë se Ukraina është duke kërkuar hap konkret nga Putini për të vërtetuar se ai është serioz për ulje të tensioneve dhe largim të trupave.
Presidenca franceze ka thënë se Macron u ka propozuar të dyja palëve që të zotohen se nuk do të ndërmarrin veprime të reja ushtarake dhe të lansojnë dialog strategjik.
Sipas presidencës, Macron ka thënë se një marrëveshje do të mundësonte kthimin e rreth 30 mijë trupave ruse nga Bjellorusia, menjëherë pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake.
Your browser doesn’t support HTML5
Macron ka deklaruar një ditë më parë se i ka thënë Putinit që krijimi i një arkitekture të re për sigurinë në Evropë, nuk duhet të bëhet duhet anuluar të drejtën e shteteve për t’iu bashkuar aleancës së NATO-s.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia ka mbledhur mbi 100 mijë trupa afër kufirit me Ukrainën dhe është gati për të mbledhur një forcë prej 150 mijë ushtarësh për pushtim të plotë në mes të muajit.
Putin ka thënë se Moska “do të bëjë gjithçka për të gjetur kompromise që i përshtaten secilit”, duke shtuar se propozimet e bëra nga Macron mund të krijojnë një bazë për të ecur përpara në krizën rreth Ukrainës.
“Disa ide, propozime… janë të mundshme si bazë për hapa të mëtejmë”, ka thënë Putin pas bisedimeve, të cilat i ka përshkruar si substanciale dhe të llojit biznesor, ndonëse Macron e ka pranuar se ende ekzistojnë dallimet.
SHIKONI EDHE: Pse Putin shqetësohet kur Ukraina nuk është afër anëtarësimit në NATO?Putin ka thënë se ai dhe Macron do të bisedojnë sërish përmes telefonit, pas negociatave të presidentit francez me udhëheqësinë ukrainase më 8 shkurt në Kiev.
Lideri rus e ka përsëritur se ai nuk sheh alternativë për marrëveshjet e Minskut, që synojnë t’i japin fund konfliktit në lindje të Ukrainës dhe që Kievi duhet të veprojë sipas këtyre marrëveshjeve të arritura më 2014 dhe 2015.
Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka ulur pritjet pas bisedimeve Macron-Putin, duke thënë më 8 shkurt se Rusia dhe Franca nuk kanë arritur marrëveshje për ulje të tensioneve rreth Ukrainës, ndonëse ka thënë se takimi ka krijuar bazë për më shumë punë në atë drejtim.
Në Kiev, ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba ka thënë më 8 shkurt se ndonëse Ukraina mezi i pret takimet me Macronin rreth propozimeve për Putinin, Ukraina nuk do të mund të detyrohet të tejkalojë linjat e kuqe.
“Ne të gjithë po presim me interesim sinjalet që Macron i sjell nga Moska”, ka thënë Kuleba.
“Mirëpo unë e kam thënë vazhdimisht se ne jemi të hapur për dialog, ne jemi konstruktivë, ne po kërkojmë zgjidhje diplomatike, mirëpo nuk do të tejkalojmë linjat e kuqe dhe askush nuk do të mund të na detyrojë të bëjmë diçka të tillë”.
Biden takon Scholz
Në Uashington, presidenti amerikan, Joe Biden ka biseduar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz për situatën në Ukrainë.
Të dy liderët kanë shfaqur unitetin e tyre dhe besimin teka punojnë për të ndalur agresionin rus në Evropë.
Biden është zotuar për “t’i dhënë fund” gazsjellësit Rrjedha Veriore 2, i cili është ndërtuar për të bartur gazin rus në Gjermani, por që ende nuk është funksionalizuar.
Your browser doesn’t support HTML5
“Ideja se Rrjedha Veriore 2 do të ecë përpara në rast të pushtimit rus, nuk do të ndodhë”, ka thënë Biden në një konferencë të përbashkët për media me Scholz.
Ai nuk ka dhënë hollësi si SHBA-ja do të veprojë, mirëpo e ka theksuar se Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të vepruar bashkë në rast të ndonjë pushtimi.
Ai ka thënë se nëse Rusa pushton – duke specifikuar që nënkupton hyrjen e tankeve dhe trupave në kufirin ukrainas – “atëherë nuk do të ketë Rrjedhë Veriore 2”, ka thënë Biden.
“Ju premtoj, do t’i japim fund”.
SHIKONI EDHE: SHBA paralajmëron se pushtimi i Ukrainës do të ishte i “tmerrshëm”Scholz nuk ka shkuar kaq larg me komente, por ka thënë se Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara do të veprojnë bashkë në rast të pushtimit rus.
Moska, në anën tjetër, mohon vazhdimisht planet për pushtim.
Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.
Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.
Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona.