Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u inaugurua të shtunën për një mandat të dytë, duke u zotuar se fillimisht do të ndërmarrë veprime për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm të luftës së Rusisë në Ukrainë përpara se të vazhdojë të fokusohet në promovimin e Francës dhe Evropës në skenën botërore.
Macron u rizgjodh për pesë vjet të tjera në krye të shtetit francez më 24 prill në një balotazh në të cilin e mundi rivalen e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.
Në fjalën e tij Macron premtoi se "së pari do të ndërmarrë veprime për të shmangur çdo përshkallëzim pas agresionit rus në Ukrainë”.
SHIKONI EDHE: Macron siguron mandatin e dytë presidencial në FrancëMacron premtoi gjithashtu se do të gjente një "metodë të drejtë" për të qeverisur vendin dhe për të lehtësuar tensionet sociale duke e bërë qeverinë dhe parlamentin të punojnë së bashku me sindikatat, shoqatat dhe njerëz të tjerë nga bota politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.
Në ceremoninë e inaugurimit, Macron pati një fjalim më të shkurtër se zakonisht dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloi duke u përshndetur me të pranishmit individualisht.
Në ceremoni ishin të pranishëm rreth 500 të ftuar.
Ata vinin kryesisht nga bota e politikës, megjithëse përfshinin edhe aktorë, punonjës të kujdesit shëndetësor, oficerë ushtarakë dhe ish-presidentët Francois Hollande dhe Nicolas Sarkozy.
Mandati i dytë i Macron do të fillojë zyrtarisht më 14 maj.