Macron: Jam i hapur për bisedime me Putinin, për të siguruar paqe

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të premten se ende është i hapur të bisedojë me homologun e vet rus, Vladimir Putin, nëse kjo do të ndihmonte në sjelljen e paqes së qëndrueshme mes Ukrainës dhe Rusisë.

Macroni dhe Putini gëzonin marrëdhënie të mira pune para se Rusia ta niste pushtimin e fqinjit të vet në shkurt 2022.

Përpjekjet diplomatike të Macronit disa javë para se të nisnin luftimet dështuan për ta parandaluar luftën, por ai e kishte mbajtur të hapur për disa muaj linjën e komunikimeve me presidentin rus.

Marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe personale u përkeqësuan shumë me vazhdimin e luftës. Në fillim të këtij viti, Macroni e kishte menduar mundësinë për t’ia hequr Putinit medaljen më të lartë franceze të nderit.

SHIKONI EDHE: Macron: Xi ta përdorë ndikimin e tij për ta ndalur pushtimin rus të Ukrainës

Putini ishte pyetur të enjten gjatë një konference me gazetarë për qëndrimet e tij rreth Francës dhe Macronit.

Putini tha: “Në një çast, presidenti francez i dha fund marrëdhënieve me ne. Nuk e bëmë ne, nuk e bëra unë. E bëri ai. Nëse ka interes, ne jemi të gatshëm. Nëse jo, do t’ia dalim”.

Duke folur në Bruksel të premten në fund të një samiti të liderëve të BE-së, Macroni tha se është i hapur për dialog me Putinin për të gjetur një zgjidhje paqësore, nëse lideri rus e kontakton.

“Nuk e nisa unë luftën në mënyrë të njëanshme, duke i shkelur marrëveshjet të cilat i kisha nënshkruar. Dhe, nuk ishte Franca ajo që vendosi të kryejë krime lufte në veri të Ukrainës, duke i bërë të pamundura bisedimet”, tha Macroni.

SHIKONI EDHE: Macroni bisedon me Putinin për centralin bërthamor të Zaporizhjas

Ai shtoi se “ne duhet të jemi seriozë” dhe se “unë nuk e kam ndryshuar numrin”.

Lideri francez nënvizoi se, nëse Putini tregon vullnet për ta nisur dialogun për ndërtimin e paqes afatgjate, Franca është e gatshme të ndihmojë.

Por, Putini tha këtë javë se nuk do të ketë paqe derisa Rusia t’i arrin synimet e veta, të cilat, sipas tij, mbesin të pandryshueshme pas gati dy vjetëve luftime në Ukrainë.