E djathta ekstreme në Francë, e udhëhequr nga Marine Le Pen, nuk arriti të fitojë asnjë rajon në rundin e dytë të zgjedhjeve rajonale, që u mbajt të dielën, tregojnë rezultatet paraprake.
Ngjashëm dobët doli edhe partia në pushtet e presidentit Emmanuel Macron.
Në shënjestër të partisë së Le Penit, Tubimi Kombëtar, ishte rajoni Provons (Provence), por kandidati i partisë së saj, Thierry Mariani, humbi kundrejt kandidatit republikan, Renaud Muselier.
Partia e Macronit, Republika në Marshim, po ashtu nuk arriti të fitojë asnjë rajon. Ajo performoi dobët edhe në rundin e parë të zgjedhjeve, që u mbajt javën e kaluar.
Kjo është hera e parë që partia e Macronit merr pjesë në zgjedhje rajonale, pasi herën e fundit kur janë mbajtur ato, më 2015, ajo nuk ka ekzistuar.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e ulët - vetëm një e treta e qytetarëve me të drejtë vote, votuan.
Zgjedhjet u vëzhguan nga afër, pasi zgjedhjet presidenciale mbahen pas më pak se një viti.
Macron dhe Le Pen u përballën me njëri-tjetrin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017.
Sidoqoftë, rezultati i zgjedhjeve rajonale solli fitore për Republikanët, që janë konservatorë tradicionalë, dhe Partinë Socialiste, pasi arritën të ruajnë kontrollin në disa rajone.