Mbështjellja e artit të Lvivit
Tymi shihet në Lviv, pas një shpërthimi mëngjesin e 18 marsit. Disa raketa goditën një fabrikë për riparimin e avionëve, duke e sjellë më afër luftën në qendrën historike të këtij qyteti, që është e mbushur me vepra arti.
Një statujë e mbështjellë e Neptunit në qendër të Lvivit.
Ditëve të fundit, banorët e Lvivit kanë mbështjellë artin në qendrën historike të qytetit, në përpjekje për t’i mbrojtur nga sulmet me raketa, të cilat druajnë se mund të godasin qytetin perëndimor të Ukrainës.
Vullnetarët mbështjellin një statujë pranë Katedrales së Shën Gjorgjit në Lviv.
Kompanitë e ndërtimit u kanë dhënë falas skele dhe pajisje të tjera vullnetarëve që janë përfshirë në këto përpjekje për të mbrojtur artin e qytetit. Por, sipas Andriy Salyuk, që drejton degën në Lviv të Shoqërisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Ukrainës, ka mungesë të çarçafëve metalikë.
Disa qytetarë kalojnë pranë statujave të mbështjella pranë Katedrales Latine të Lvivit. Këto statuja datojnë që nga shekulli i 14-të.
Salyuk thotë se ekspertët nga Kroacia i kanë këshilluar në përpjekjet për të mbrojtur monumentet e Lvivit. Kroatët kanë fituar përvojë të madhe në mbrojtje të artit gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Disa persona mbështjellin një statujë në qendër të Lvivit.
Një piktor lokal, që është përfshirë në këto përpjekje për mbrojtjen e artit historik të Lvivit, i tha Radios Evropa e Lirë se “nëse do të ketë një sulm direkt me raketa, asgjë nuk do të ndihmojë”.
Por, mbështjellje të tilla, ku përfshihen pëlhura që mbrojnë nga zjarri, janë një përpjekje për mbrojtjen e artit të Lvivit, nëse ato goditen nga copëza të granatave apo nga zjarri.
Vullnetarët vendosin një kornizë prej metali përreth një monumenti në Lviv.
Barriera të tilla synojnë të mbrojnë monumentet nga valët goditëse, të cilat mund të rrëzojnë statujat pa u goditur drejtpërdrejt nga ndonjë granatë apo edhe nga mbetjet e ndonjë shpërthimi.
Çarçafë metalikë janë vendosur për të mbrojtur dritaret e Katedrales Latine të Lvivit.
Ekspertët polakë po ashtu kanë kontribuar në përpjekjet e banorëve të Lvivit për të mbrojtur trashëgimin. Polonia ka dërguar materiale për të mbuluar xhamat e dritareve të disa objekteve, por edhe materiale për të mbrojtur artin fetar të këtij qyteti.
Ushtarët ukrainas duke kaluar pranë disa statujave të mbështjella jashtë Katedrales së Lvivit.
Lilia Onyschenko, kryetarja e Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit Historik të Lvivit, tha se qyteti është shtëpi e monumenteve “që paraqesin arkitekturën e disa periudhave, por edhe të kombësive të ndryshme që historikisht kanë jetuar në Lviv, kryesisht armenët, gjermanët, polakët, hebrenjtë dhe ukrainasit”.
Një altar në Katedralen armene të Lvivit, është mbuluar me metal.
“Ne po e mbrojmë artin jo vetëm për ukrainasit, por po ashtu edhe për trashëgimin botërore”, tha Onyschenko.