Lumenjtë e mjaltit: Mbijetesa e bletarëve përgjatë degëve të lumenjve në Kirgizi

Në malet ku rrjedhin ujërat që mbushin lumin e madh Syr Darya, tre breza bletarësh kirgizë kërkojnë fusha me lule ku do t'i ushqejnë dhjetëra mijëra bletë për të mbajtur gjallë biznesin e tyre familjar.

Dielli po shkëlqen në luginën Eki Naryn, por me gjithë motin e përshtatshëm, Tynychtyk Satarov ka veshur një xhaketë të trashë dhe ka vendosur si vello një rrjetë derisa punon.

Veshja e rëndë e Satarovit është krijuar për ta mbrojtur atë nga bletët, por ai është thumbuar aq shpesh nga to sa nuk shqetësohet më për këtë.

Bletari Tynychtyk Satarov (majtas) me djalin e tij, Ulykbek, në rajonin Naryn të Kirgizisë në fillim të gushtit.

Bletari 36-vjeçar ka mbajtur koshere bletësh për më shumë se 10 vjet. Nga maji deri në gusht, ai lëviz nëpër Kirgizi në kërkim të fushave me lule që bletët e tij të mund të kullosin nektar.

Sot, e gjithë familja e Satarovit është e angazhuar në biznesin e mjaltit. Babai dhe vëllai i tij kujdesen për bletët, ndërsa gruaja e tij është angazhuar si shitëse në shtëpinë e tyre në Bishkek. Dy djemtë e vegjël të bletarit ndihmojnë, gjithashtu, gjatë gjithë pushimeve verore.

"Vëllai im e ngriti kosheren e tij atje në faqen tjetër të malit", thotë Satarov, duke treguar drejt jugut. “Unë punoj këtu me babanë dhe djemtë e mi”.

Vendi ku takohen lumenjtë Big Naryn dhe Small Naryn, pranë qytetit Naryn në qendër të Kirgizisë. Këto ujëra derdhen në lumin Syr Darya.

Kosheret e Satarovit janë në një rimorkio mobile, që lehtëson transportimin e bletëve nga një kullotë kirgize në tjetrën.

"Do të nis nga rajoni Shu, pastaj do të shkoj në Issyk-Kul dhe prej andej në rajonin e Naryn. Eki Naryn është ndalesa e fundit", shpjegon Satarov. “Së shpejti do të marrim mjaltin e fundit të sezonit, pastaj do të kthehemi në Bishkek”.

Por, puna nuk do të përfundojë me verën.

“Pas kësaj, ne do të kujdesemi për bletët, ato duhet të përgatiten për dimër”, thotë bletari.

Eki Naryn është vendi ku lumenjtë malorë Big Naryn dhe Small Naryn takohen për të formuar lumin Naryn, një nga burimet më të rëndësishme ujore të Azisë Qendrore. Naryn kalon fushën e Ferghanas dhe përfundimisht bashkohet me lumin Syr Darya në Uzbekistan.

Rimorkioja mobile me koshere e familjes Satarov gjatë kohës së qëndrimit në luginën Eki Naryn në rajonin Naryn të Kirgizisë.

Sipas Satarovit, mjalti i mbledhur nga lugina Eki Naryn ka veti shëruese, duke e bërë atë shumë të kërkuar.

"Sa më lart të ngjitesh në male, aq më mirë. Nuk mund të mbledhësh aq mjaltë këtu sa poshtë në fushë, por mjalti këtu është i pastër dhe shumë aromatik. Më shumë se 15 lloje lulesh rriten lart në këto male. Kjo është arsyeja pse mjalti Naryn vlerësohet shumë në Kirgizi", shprehet Satarov.

Tynychtyk Satarov duke punuar në zgjoin e tij mobil.

Familja përpiqet të gjejë vend për zgjoin e saj pranë fushave me lule, në mënyrë që bletët të kalojnë më shumë kohë duke mbledhur nektar dhe më pak energji duke fluturuar për të gjetur lule.

Ajri gumëzhin me dhjetëra mijëra bletë rreth koshereve. Bletët ulen në aparatin tim dhe grumbullohen në duart e mia. Vetëm kostumi për mbrojtje nga bletët që më ka huazuar Satarovi, më lejon të qëndroj në mes të tufës së bletëve.

Djali më i vogël i Tynchtyk Satarovit, Tynai, tetë vjeç.

Familja Satarov tani ka 130 koshere me më shumë se 30.000 bletë. “Dhjetë mijë prej tyre mbledhin nektar, ndërsa pjesa tjetër punojnë në koshere. Ato gjithashtu kanë shumë punë për të bërë”, shpjegon bletari.

Satarov thotë se i pëlqen kjo punë. Puna është e lehtë dhe ai fiton mjaftueshëm për të mbajtur familjen gjatë gjithë vitit.

Pjesa më e vështirë ishte fillimi i biznesit, tregon bletari. Ai shpenzoi shumë kohë dhe para duke e shndërruar një rimorkio të vjetër në zgjua bletësh. Por, duke pasur përvojë në saldim, bletari ka arritur ta ndërtojë atë me ndihmën e babait të tij.

Përveç mbajtjes së koshereve, kamioni ka një hapësirë për gjumë me krevate dykatëshe, një hapësirë punishte ku mblidhet mjalti dhe një zonë ngrënieje.

Kosheret e bletëve.

Rysbek Satarov, më i madhi i familjes që merret me bletari, është 64 vjeç. Ai kohët e fundit doli në pension dhe tani gjithë kohën ua kushton bletëve të familjes dhe duke ndihmuar në rritjen e nipërve të tij. Ai beson se puna në natyrë është e mirë për të.

“Nëse nuk do t'i kishim këto zgjoje bletësh, do të isha mbështetur në një shkop në shtëpi”, bën shaka pensionisti.

Satarovët e shesin pjesën më të madhe të mjaltit të mbledhur direkt te konsumatorët, gjë që sjell më shumë fitim, por edhe një pjesë e konsiderueshme e mjaltit u shitet blerësve me shumicë. Një kilogram mjaltë mali shitet për rreth 6 deri 7 dollarë.

Rysbek Satarov

Sipas bletarëve, sasia e produktit të marrë varet shumë nga moti. Gjatë verës së butë, lulet lulëzojnë dhe kosheret përfundojnë përplot me mjaltë.

Por, ndryshimet klimatike po prekin bletarët këtu. Vera po bëhet më e nxehtë dhe bletarët ngjiten maleve në kërkim të livadheve të freskëta.

Satarov thotë se rrjedhat e ujërave të luginës Eki Naryn e bëjnë atë një vend ideal për bletari.

“Bari është ushqyes në brigjet e lumit dhe ka shumë lule”.

Kohët e fundit, Satarovët arritën të merrnin "mjaltë të bardhë" të rrallë nga shafrani që rritej në Naryn. Disa besojnë se mjalti ka veti në lehtësimin e dhimbjeve dhe madje të ndihmojë në luftimin e kancerit.

Kosheret me bletë në rimorkion e familjes Satarov.

Bletari ka dëgjuar për vdekjen masive të bletëve në shumë vende të zhvilluara, por thotë se nuk ka parë ndonjë rritje të vdekshmërisë së bletëve të tij.

"Nëse bletët po vdesin në rajonin tonë, kjo është për shkak se fermerët po përdorin shumë kimikate në të korrat e tyre. Sot, asgjë nuk rritet pa kimikate", thotë Satarov.

"Luleshtrydhet, mjedrat, mollët -- çdo gjë rritet me kimikate. Unë blej fruta dhe perime vetëm nga fermerët që i njoh prej shumë vitesh. Mundohem të mos blej nga të huajt dhe kurrë nuk ua jap [produktet e tyre] fëmijëve të mi".

Pasi të kenë lulëzuar livadhet malore dhe të mblidhet i gjithë mjalti, familja Satarov do t'i paketojë kosheret e tyre dhe do të kthehet në qytet. Satarov shpreson se klima e Kirgizisë do të lejojë edhe shumë vite të tjera bletari dhe thotë se ëndërron që "jo vetëm fëmijët e mi, por edhe nipërit e mbesat e mia të angazhohen në këtë biznes".

(Përgatiti: Syzanë Paçarizi)