Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.
Në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së në Tiranë, Basha tha se është dorëhequr nga udhëheqja e partisë pas përpjekjeve të pasuksesshme për ta mbajtur partinë e bashkuar pas muajsh të tërë përparjesh të brendshme që konfrontuan Bashën me ish-kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Kam vendosur të bëj një hap pas dhe të jap dorëheqjen nga detyra,” tha Basha pas takimit me kryesinë e PD-së, Grupin Parlamentar të kësaj partie dhe kolegjin e kryetarëve të PD-së.
“Demokratët janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, nga fushatat dhe gjuha denigruese, nga e cila dëmtohet Partia Demokratike dhe Shqipëria dhe përfiton vetëm [kryeministri i Shqipërisë] Edi Rama dhe klika e tij”, tha Basha.
Ai tha se Shqipërisë i duhet një PD e fortë dhe e bashkuar “në krah të interesit qytetar dhe kombëtar dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme për t}u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit”.
Basha bëri me dije se do të vazhdojë të jetë pjesë e PD-së.
“Unë do të vazhdoj pareshtur e pa u lëkundur të punoj, duke u përkushtuar me mish e me shpirt për këtë ringritje të Partisë Demokratike”, tha Basha.
Dorëheqja e Bashës vjen vetëm dy javë pas zgjedhjeve të pjesshme lokale në gjashtë bashki në Shqipëri, në të cilat PD-ja doli e treta pas një viti të përshkruar me grindje të brendshme e deri në përleshje fizike mes dy krahëve të PD-së.
SHIKONI EDHE: Basha akuzon Berishën për nxitjen e dhunës në betejën partiakeLulzim Basha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike në korrik të vitit 2013.
Lëkundjet në Partinë Demokratike filluan vitin e kaluar kur Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së dhe nga vetë partia ish-kreun e partisë, ish-kryeministrin Sali Berisha, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për ta shpallur Berishën person të padëshiruar (person non grata) për shkak të akuzave për korrupsion.
Berisha e kontestoi vendimin e Bashës dhe si përgjigje nisi një fushatë për ta rimarrë kreun e PD-së, duke e sfiduar hapur Bashën dhe përkrahësit e tij.