Në pranverë, talibanët njoftuan për ndalesën ndaj kultivimit, trafikimit dhe përdorimit të narkotikëve të paligjshëm në Afganistan, në shtetin që është prodhuesi më i madh në botë i opiumit.
Por, përderisa sezoni vjeshtor i mbjelljes së opiumit nis, grupi militant duket se po mbyll sytë para tregtisë fitimprurëse të kësaj droge.
Fermerët në provincat jugore të Helmandit, Kandaharit dhe Uruzganit – ku shumica e opiumit prodhohet në Afganistan – thanë se po mbjellin lirshëm lulëkuqe, përmes së cilës prodhohet opiumi.
Ekspertët thanë se Qeveria talibane, që ka mungesë parash, nuk po ka vullnet që ta zbatojë ndalesën sepse tregtia e opiumit të paligjshëm vazhdon të mbetet një prej burimeve më të mëdha të të ardhurave. Militantët po ashtu nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë alternativë për qindra mijëra fermerë të cilët mbijetojnë nga tregtia e opiumit.
SHIKONI EDHE: Talibanët nisin fushatën për ndalimin e prodhimit të opiumitShumë afganë veçse po përballen me vështirësi që t’i plotësojnë kushtet elementare për jetë. Marrja e Afganistanit nga talibanët në gushtin e vitit 2021, nxiti kolapsimin e ekonomisë dhe përkeqësoi krizën humanitare. Donatorët perëndimorë ndërprenë ndihmën e tyre dhe Qeveria e re u godit me sanksione ndërkombëtare.
Grupi militant po ashtu me ngulm po kërkon që të shmangë përhapjen e pakënaqësive në jug të Afganistanit, që është një rajon prej ku ky grup militant ka marrë luftëtarë përgjatë 20 vjetëve të kryengritjes së tij, thanë ekspertët.
“Një ndalesë efektive mbi prodhimin e drogës, në mes të një ekonomie që po dështon, është recetë për katastrofë”, tha David Mansfield, hulumtues i pavarur që gjurmon industrinë e drogave ilegale në Afganistan.
“Nuk do të fitoj asgjë”
Disa fermerë afganë thanë se janë të gatshëm të ndalojnë kultivimin e opiumit, nëse autoritetet u japin mjete për mbijetesë dhe kultura alternative bujqësore.
Por, ata thanë se talibanët u kanë ofruar vetëm disa stimuj ekonomikë fermerëve, të cilët mund të fitojnë shumë më shumë duke kultivuar opium sesa kultura të tjera bujqësore, sikurse gruri.
“E mbështes ndalesën e kultivimit të lulëkuqes nëse ne marrin ndonjë ndihmë që do të na mundësonte që të blinim ushqim dhe ilaçe për familjet tona”, tha për Radion Evropa e Lirë, Abdul Qayyum, fermer në qarkun Maivand të Kandaharit.
SHIKONI EDHE: Fermerët afganë pas ndalimit të opiumit: “Si do t’i ushqejmë fëmijët?”Kombet e Bashkuara kanë shpërndarë mjete, fara dhe plehra artificiale në disa pjesë të jugut të Afganistanit në përpjekje për të penguar që fermerët të kultivojnë opium.
Por, fermerët thanë se gjetja e vendeve të punës apo e tregjeve për produkte alternative bujqësore, në ekonominë e dobësuar, është sfidë e madhe.
“Nëse nuk mbjell lulëkuqe, nuk do të fitoj asgjë”, tha Naqibullah, një fermer nga Uruzgani. “Mbjellja e grurit nuk sjell fitime as për të blerë plehra artificiale apo karburante për traktor”, shtoi ai për REL-in.
Pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara më 2001, Uashingtoni shpenzoi rreth 8 miliardë dollarë në përpjekje për të çrrënjosur tregtinë e opiumit në Afganistan. SHBA-ja shkatërroi fusha të mbjella me lulëkuqe, ofroi kultura alternative bujqësore për fermerët, kreu sulme ajrore dhe kreu bastisje në laboratorët e dyshuar të drogës. Por, kjo strategji gjerësisht dështoi.
Për vite të tëra, sipas ekspertëve, talibanët kanë vendosur taksa ndaj fermerëve të lulëkuqeve dhe janë përfshirë në trafikimin e narkotikëve në shtetet fqinje, prej ku më pas droga kalon në Evropë dhe Amerikë të Veriut.
SHIKONI EDHE: Si fitojnë talibanët nga prodhimi i opiumit?OKB-ja vlerësoi se tregtia afgane e opiumit gjeneroi të ardhura prej rreth 2.7 miliardë dollarësh gjatë vitit 2021. Në një raport të NATO-s të vitit 2020 u tha se talibanët kanë fituar mbi 400 milionë dollarë nga industria e drogës, edhe pse disa ekspertë besojnë se këto vlerësime janë të ekzagjeruara.
Talibanët janë zotuar se do ta zbatojnë ndalesën e tyre. Haseebullah Ahmadzai, kreu i departamentit të narkotikëve në Ministrinë e Brendshme talibane, tha se grupi ka bërë përgatitjet për zbatimin e ndalesës.
“Ne kemi mbajtur takime me kryepleqtë, fermerët dhe qytetarët në mbarë vendin për t’i informuar lidhur me ndalesën tonë për narkotikët”, tha ai për REL-in.
Më 2000, kur talibanët për herë të parë ishin në pushtet, grupi militant zbatoi një ndalesë të ngjashme. Ai vendim nxiti fermerët që të kërkonin punë në shtetet fqinje, Pakistan dhe Iran. Por, kësaj here Islamabadi dhe Teherani kanë mbyllur kufijtë për afganët.
“Shumë fermerë do të varfërohen nëse do të zbatohet ndalesa”, tha Mansfield.